Hakmarrja e Serbisë, avokati thotë se ndërkombëtarët e kanë çelësin për ish-policin Spahiun
Foto: Laura Hasani

Hakmarrja e Serbisë, avokati thotë se ndërkombëtarët e kanë çelësin për ish-policin Spahiun

Aktuale October 02, 2025 - 08:46

Avokati Tomë Gashi, ka thënë se duhet të bëhet presion ndërkombëtarë dhe të vërtetohet pafajësia e ish-policit Arbnor Spahiu, që po mbahet në paraburgim në Serbi.

Gashi ka theksuar se rasti i ish-policit i cili akuzohet për vrasje të rëndë gjoja në shtator të 2023-ës kur edhe ndodhi sulmi terrorist serb në Zveçan, mund lehtë të vërtetohet që ai nuk ishte aty, dhe se çelësi është te ndërkombëtarët.

“Ajo çka duhet të bëjmë ne është të bëjmë presion tek organizatat ndërkombëtare që kanë të drejtë dhe kanë obligim të monitorojnë raste si te rasti i Arbnor Spahiu. Ky është i vetmi çelës që të mos përdoret nacionaliteti shqiptar për hakmarrje të institucioneve të Serbisë. Besoj që ai ka të drejtë dhe duhet të shfrytëzohet çdo mjet juridik. Në momentin që sigurohen shkresat e lëndës, mundet lehtësisht të vërtetohet që Arbnor Spahiu nuk ka qenë fare në kohën kur supozohet sipas institucioneve të Serbisë që ka vrarë polic serb”, deklaroi Gashi për Ekonomia Online.

Avokati teksa flet për atë se Spahiu ishte në Gjermani, thekson se arrestimi nga Serbia ka të bëjë kryeekputë për hakmarrje.

Megjithatë thekson se ekziston një dallim i madh sepse Kosova me të drejtë arreston terroristët që udhëhiqen nga kryekrimineli Millan Radoiçiq.

“Spahiu duket se shumë vite më herët është larguar nga policia dhe ka shkuar në Gjermani për të jetuar dhe lehtësisht mund të provohet që kjo nuk është e vërtetë dhe që aty është ndalur për ta ngritur numrin e shqiptarëve të arrestuar në Serbi dhe ky është një hakmarrje për shkak se policia jonë me të drejtë arreston edhe pjesëtarë terroristë të Radoiçiqit, etj. Të gjitha këto janë të dokumentuara, në Kosovë i kemi edhe institucionet ndërkombëtare që i përcjellin dhe janë me dhjetëra organizata që kanë qasje në çdo dokument dhe mund të përcjellin secilin gjykim në territorin e Kosovës, e kundërta është në Serbi dhe mendoj që institucionet tona fare pak mund të bëjnë për shkak të raporteve që i kemi të përkeqësuar me shtetin e Serbisë, ata nuk e pranojnë që shteti i Kosovës është i pavarur dhe për këtë arsye nuk mund të ketë ndikim direkt të Kosovës tek institucionet e Serbisë, siç nuk mund të ketë anasjelltas”, theksoi ai.

Arrestimin e Spahiut Gashi e quan të motivuar politikisht.

“Kur kemi të bëjmë me çështjet ku ndërlidhet Kosova me Serbinë, thuajse çdo rast mund të jetë politik përveç rasteve faktikisht me prova konkrete ku arrestohet dikush, konkretisht pjesëtarët e policisë serbe apo paramilitarë që arrestohen në territorin e Republikës së Kosovës dhe ata me prova konkrete dërgohen nëpër gjykatat tona. Pastaj, gjykata iu ofrojnë gjykim shumë fer dhe të drejtë dhe askush nuk mund të kontestojë ndaj pjesëtarëve serbë, pavarësisht kur ata zihen me armatim apo të dyshuar apo të akuzuar për veprime terroriste, siç ka qenë në Banjskë para dy viteve, gjykimi është fer. Mirëpo Serbia asnjë shqiptari nuk i garanton gjykim të drejtë dhe në shumicën e rasteve ka pasur manipulime, posaçërisht kur konsiderohen pjesëtarët e policisë apo pjesëtarë të UÇK-së, edhe pse në disa raste janë vërtetuar që nuk kanë qenë fare pjesëtarë të UÇK-së dhe nuk kanë qenë pjesëtarë të njësive elitë policore të Kosovës”, ka deklaruar Gashi.

Të martën në Prishtinë nëpërmjet një protestë është kërkuar drejtësi për Arbnor Spahiun, nga ku edhe babai i tij u bëri thirrje institucioneve vendore por edhe ndërkombëtare që të ndihmojnë në lirimin e tij.

Ai madje tregoi për gjendjen e Abrnorit në paraburgim, pa çka tha se ndihet i lodhur nga padrejtësia që po i bëhet.

Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, ishte ndaluar me 7 qershor në pikën kufitare nga Hungaria në Serbi.

Autoritetet e drejtësisë në Serbie e akuzojnë atë për gjoja kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”.

Sipas tyre, Spahiu dyshohet se ka kryer këtë vepër në Banjskë të Zveçanit, pra me 23 shtator 2023, në kohën kur një grup terroristësh serb të armatosur në krye me kryekriminelin Millan Radoiçiqin sulmuan policinë e Kosovës e ku e vranë rreshterin Afrim Bunjaku.