
Osmani akuzon Vuçiqin se tentoi të prishte takimin e Brdo-Brionit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një prononcim për media pas Samitit të Brdo-Brionit në Durrës, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka tentuar ta prishë takimin, duke u drejtuar me arrogancë e fyerje.
“Si në takimet tjera të Brdo-Brionit, ndoshta në një dozë më të madhe, Vuçiqi i Serbisë iu drejtua Samitit me ofendime e arrogancë, në tentim që ta prishte takimin. Arritëm në fund të miratojmë deklaratën e përbashkët me unanimitet, e natyrisht për Çdo propagandë që Vuçiqi synonte të prezantonte para pjesëmarrësve, ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme, argumentet në anën e së drejtës që janë fuqizuar e mbështetur edhe nga drejta ndërkombëtare nëpërmjet vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, tha Osmani, transmeton RTSH-ja.
Osmani ka thënë se Kosova është për bashkëpunim rajonal, por se do ta mbrojë interesin shtetëror, sovranitetin, integritetin territorial.
“Edhe pse Vuçiqi kishte ankesa për paktin tonë të marrëveshjes së përbashkët Kosovë, Shqipëri, Kroaci në fushën e mbrojtjes, ai mori konfirmimin tonë të përbashkët që kjo shënon bashkëpunim që ka për qëllim mbrojtjen tonë. Përgjigja ime ishte se tërë historinë të ekzistencës sonë si komb, ne asnjëherë nuk e kemi sulmuar askënd, asnjëherë se kemi pushtuar askënd, por gjithnjë e kemi mbrojtur veten dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë veten dhe integritetin tonë territorial”, tha Osmani.
“Aleanca jonë është aleancë për t’u mbrojtur nga rreziqet që vijnë nga tjerët. Në rastin tonë si Republikë e Kosovës rreziku vjen nga Serbia dhe natyrisht do të vazhdojmë ta fuqizojmë ushtrinë tonë me qëllim që të mbrohet Çdo centimetër i territorit të Kosovës dhe liria e fituar me shumë sakrificë e mund”.
Osmani ndërkohë ka thënë se Kosova ndonëse ka plotësuar gjitha kushtet, e është linjëzuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, ajo vazhdon të jetë nën sanksione të BE-së.
“Askush nga shtetet anëtare nuk është e gatshme të japë arsye pse janë sanksionet ende në fuqi, ndonëse të gjitha kushtet që ishin vendosur me Marrëveshjen e Bratislavës janë plotësuar”, tha Osmani.
Nga ana e tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ndërsa nënvizoi disa prej mosmarrëveshjeve që pati me presidenten Osmani gjatë samitit, deklaroi se rruga evropiane është një rrugë strategjike për rajonin.
“Këtu nuk ka vende, përdoren vetëm emra, kështu që kjo është diçka që është një trashëgimi e mirë e këtij procesi. Kam thënë dhe kam folur për atë lloj hipokrizie, standarde të dyfishta, ku secili prej nesh në fakt përpiqet të marrë diçka në kurriz të dikujt tjetër, dhe kemi pak qasje të përbashkët për zgjidhjen e problemeve në Ballkanin Perëndimor”, tha Vuçiqi në një deklaratë për gazetarët.