Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, Osmani: Proces jo i bazuar në merita

Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, Osmani: Proces jo i bazuar në merita

Aktuale October 06, 2025 - 14:14

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në fjalën e saj para medieve pas përfundimit të Samitit të Brdo-Brionit të mbajtur këtë të hënë (6 tetor) në Durrës, ka mbështetur progresin e bërë nga Shqipëria në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Osmani deklaroi se gjatë procesit të Samitit ka kërkuar mbështetjen e Sllovenisë dhe Kroacisë si dy vende anëtare në BE, që të rrisin më shumë mbështetjen e të jenë zëri i Kosovës në institucionet e Bashkimit Evropian. Osmani shprehu rezervat e saj edhe mbi sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, për të cilat theksoi se askush prej shteteve anëtare nuk jep arsye të forta se përse vijojnë të mbeten në fuqi.

“Jemi shumë të lumtur për progresin që po shënon Shqipëria. Ne kërkuam mbështetjen e Sllovenisë dhe Kroacisë që edhe më shumë të rrisin mbështetjen, që të jenë zëri ynë në institucionet e BE-së. Linjëzimi 100% me politikën e jashtme dhe sigurisë me BE. Fatkeqësisht përkundër këtyre reformave, Kosova akoma mbetet nën sanksionet e BE për të cilat askush nga shtetet anëtare nuk është i gatshëm të japë arsye pse janë ende në fuqi edhe pse kushtet e vendosura në marrëveshjen e Bratislavës është plotësuar dhe pse aplikacioni ynë për anëtarësim është dorëzuar që në 2022. Deri tani për shkak të disa shteteve anëtare nuk është mandatuar Komisioni Evropian për t’u marrë me çështjen e statusit kandidat për Kosovën. Kjo na sjell te konkluzioni se procesi nuk është i bazuar në merita, por ka zhvillime politike që shtetet anëtare ndonjëherë i marrin parasysh për të përkrahur një shtet apo jo. Po të ishte i bazuar në merita, Kosova si reformatorja numër 1 jo vetëm në këtë rajon, do ecte shumë përpara dhe do ishim shumë afër anëtarësimit. Zhvillimet politike në disa shtetet anëtare po e bllokojnë këtë”, deklaroi Osmani.

Presidentja u ndal më tej edhe te fjala e mbajtur nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq në samit, duke e akuzuar atë për ofendime dhe tentativa për pengimin e procesit të samitit.

“Vuçiqi i Serbisë iu drejtua samitit me ofendime dhe arrogancë me tentimin të prishte takimin, por arritëm të miratojmë deklaratën e përbashkët me unanimitet. Për çdo propagandë që Vuçiqi synonte të prezantonte para pjesëmarrëse, ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme, në anën së drejtës dhe që janë mbështetur edhe nga e drejta ndërkombëtare. Si Kosovë jemi pro bashkëpunimit rajonal dhe do të mbrojmë interesin tonë shtetëror, integritetin dhe sovranitetin tonë”, tha Osmani.

Nga ana e tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa nënvizoi disa prej mosmarrëveshjeve që pati me presidenten Osmani gjatë samitit, deklaroi se rruga evropiane është një rrugë strategjike për rajonin.

“Këtu nuk ka vende, përdoren vetëm emra, kështu që kjo është diçka që është një trashëgimi e mirë e këtij procesi. Kam thënë dhe kam folur për atë lloj hipokrizie, standarde të dyfishta, ku secili prej nesh në fakt përpiqet të marrë diçka në kurriz të dikujt tjetër, dhe kemi pak qasje të përbashkët për zgjidhjen e problemeve në Ballkanin Perëndimor”, tha Vuçiqi në një deklaratë për gazetarët. /rtsh.al