Osmani në Samitin e Brdo-Brionit: Rreziku vjen nga Serbia, do ta fuqizojmë ushtrinë për të mbrojtur çdo centimetër të territorit
Foto: Laura Hasani

Osmani në Samitin e Brdo-Brionit: Rreziku vjen nga Serbia, do ta fuqizojmë ushtrinë për të mbrojtur çdo centimetër të territorit

Aktuale October 06, 2025 - 14:49

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të mbledhjes në kuadër të Samitit të Brdo-Brionit, u shpreh me vendosmëri lidhur me sfidat dhe kërcënimet me të cilat përballet vendi ynë.

Ajo theksoi se, pavarësisht përpjekjeve për bashkëpunim rajonal, mbrojtja e interesave shtetërore, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mbetet prioritet kryesor.

“Ne asnjëherë nuk kemi sulmuar ose pushtuar askënd, por gjithmonë kemi mbrojtur dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë vetveten”, deklaroi Osmani, duke nënvizuar se rreziku kryesor vjen nga Serbia.

Ajo bëri me dije se Kosova do të vazhdojë të fuqizojë ushtrinë e saj për të garantuar mbrojtjen e çdo centimetri të territorit.

“Rreziku vjen nga Serbia dhe ne do të vazhdojmë të fuqizojmë ushtrinë tonë me qëllim që të mbrohet çdo centimetër i territorit Kosovës”, tha Osmani, transmeton Telegrafi.

Presidentja gjithashtu komentoi edhe sjelljen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq gjatë samitit, duke e quajtur arrogante dhe me qëllim për të prishur arritjet e deritanishme.

“Vuçiqi iu drejtua samitit me ofendime dhe arrogancë, me qëllim që ta prishte takimin, mirëpo arritëm në fund të miratojmë deklaratën e përbashkët me unanimitet”, tha Osmani.

Ajo shtoi se Kosova është për bashkëpunim rajonal, por njëkohësisht do të mbrojë interesin shtetëror, sovranitetin dhe integritetin territorial.

“Edhe pse Vuçiqi pati ankesa për marrëveshjen Kosovë – Kroaci - Shqipëri në fushën e mbrojtjes, ai mori konfirmimin e përbashkët se kjo ka qëllim mbrojtjen tonë”, tha Osmani.

Presidentja theksoi shqetësimet në lidhje me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Edhe pse aplikacioni ynë për anëtarësim u dorëzua qysh në vitin 2022, deri tani për shkak të disa shteteve anëtare nuk është mandatuar komisioni evropian për të marrë në shqyrtim statusin e kandidatit për Kosovën”, tha ajo.

Osmani shtoi se ky proces nuk po bazohet në merita, por në zhvillime politike dhe konsiderata vetanake që shtetet anëtare herë pas here i marrin parasysh për të shtyrë ose përkthyer procesin.

“Po të ishte bazuar në merita, Kosova, si reformatorja numër një jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë dhe numër tre në botë, do të ishte shumë afër anëtarësimit, por fatkeqësisht zhvillimet politike në disa shtete anëtare po e bllokojnë këtë”, shtoi ajo.