Përurohet pjerrina e tualeti i qasshëm në shkollën “7 Mars” në Prishtinë

Përurohet pjerrina e tualeti i qasshëm në shkollën “7 Mars” në Prishtinë

Aktuale October 06, 2025 - 15:57

Vetëm 7 për qind e institucioneve shtetërore dhe private në Kosovë plotësojnë kushtet për qasje për personat me aftësi të kufizuara, sipas statistikave të Fondacionit Team Rijad, raporton Ekonomia Online.

Këto të dhëna u bënë të ditura gjatë përurimit të pjerrinës në hyrje të shkollës dhe tualetin e qasshëm për fëmijët me aftësi të kufizuara në shkollën “7 Marsi” në Prishtinë nga Trust Circle Foundation dhe Fondacioni Team Rijad, këshru duke synuar krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë nxënësit.

Rijad Mehmeti, Drejtor i Fondacionit Team Rijad, tha se ky është vetëm fillimi i një sërë projektesh që synojnë përmirësimin e qasjes dhe infrastrukturës për fëmijët me nevoja të veçanta.

“Sot jemi shumë të lumtur që po finalizohet projekti i parë, besoj që ky projekt do të jetë veç fillimi dhe do të ketë shumë projekte të tjera me radhë”, tha ai.

Adrian Ibrahimi, Sekretar i Fondacionit Team Rijad, shtoi se sfida e qasjes në institucione për këtë kategori është e madhe.

“E kemi parë që në bazë të statistikave të përgjithshme, jo vetëm për pjerrinën e tualetet, por qasje në rrugë, dhe në gjitha institucione të tjera shtetërore dhe private, në bazë të statistikave është vetëm 7 për qind që plotësohen kushtet për këtë kategori. Nga terreni është duke na u dëshmuar edhe vetë kjo punë, edhe në shkolla numri i shkollave që kemi intervenuar është mjaft i madh, 13 shkolla kemi intervenuar vetëm në kryeqytet. Ne tash veç se kemi filluar me identifikimin e shkollave në komunë e Gjakovës dhe aty e kemi parë që numri i shkollave që nuk kanë qasje shkon për mbi 40 shkolla, njëjtë jemi të bindur që do të ndodhë edhe me komunat e tjera. Është e dhimbshme se sa numri i madh i shkollave janë që nuk kanë qasje. Kemi pasur rast që për shkak të këtyre kushteve fëmijët nuk kanë vazhduar shkollimin apo nuk e kanë filluar fare shkollimin fillor”, tha ai.

Krenar Batusha, Drejtor i Trust Circle Foundation, theksoi rëndësinë e mbështetjes së komunitetit dhe ndërgjegjësimit për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

“Është një rast se fëmijët kanë shitur gjëra të vogla për t’i mbledhur paratë edhe me ju mundësua më pas një qasje për fëmijët dhe të rinjtë me fëmijët me aftësi të kufizuar, kjo është gjëja më e rëndësishme në këtë kauzë. Nuk është një buxhet i madh që kemi mundur por është i mjaftueshëm si mesazh i fuqishëm në çdo din tonë që me pas simpati secili për këtë kategori dhe me i ofru të drejtat bazike që janë të shkruara në kushtetutën tonë”, tha ai.

Lumnie Behrami-Aliu, Koordinatore e klubit të bamirësisë “Shkolla Mileniumi i Tretë”, tha se përmes këtij projekti po krijohen mundësi të barabarta për fëmijët me nevoja të veçanta.

“Kemi ndarë fonde për mirëqenie e kategorive të veçanta nëpër shkollat publike për t’ju ofruar mundësi e kushte të barabarta. Kushte që janë të garantuara me ligj, por në pamundësi të ofrimit të infrastrukturës prej institucioneve shtetërore atëherë ne kemi marrë iniciativë bashkërisht që t’ju japim qasje të barabartë të gjithëve”, tha ajo.