
BE-ja dhe OSBE-ja dënojnë vrasjen e gjyqtarit: Sulm ndaj shtetit të së drejtës
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe OSBE-ja kanë reaguar duke dënuar fort ngjarjen e rëndë ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja dhe mbi plagosjen e dy qytetarëve brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, e ndodhur sot rreth orës 15:00.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri shprehet i tronditur ndërsa ka dënuar me forcë aktin kriminal siç e ka quajtur ky institucion.
“Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri është i tronditur nga akti i dhunës që çoi në vrasjen e gjyqtarit Kalaja dhe plagosjen e dy qytetarëve shqiptarë. Ne e dënojmë me forcë këtë akt kriminal,” thuhet në deklaratë.
BE shprehu ngushëllimet më të thella për familjen e gjyqtarit Kalaja dhe theksoi nevojën e menjëhershme për rritjen e sigurisë.
“Kjo tragjedi nënvizon nevojën e ngutshme që Shqipëria të rrisë sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë në sallat e gjyqit,” thuhet m tej në deklaratë.
BE ritheksoi angazhimin e saj të palëkundur për të mbështetur konsolidimin e reformës në drejtësi dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend.
Ndërkaq Prezenca e OSBE-së në Shqipëri shprehu gjithashtu hidhërimin dhe dënoi me ashpërsi aktin e rëndë.
“Jemi thellësisht të tronditur dhe të hidhëruar nga të shtënat me armë brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, që i morën jetën gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosën dy persona të tjerë,” thuhet në reagimin e OSBE-së.
Organizata i shprehu ngushëllimet familjes dhe kolegëve të gjyqtarit Kalaja dhe u uroi shërim të shpejtë të plagosurve.
“Prezenca e OSBE-së dënon me forcë këtë akt të dhunshëm. Sulmet kundër gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike,” theksohet në deklaratën e OSBE-së.
OSBE mirëpriti arrestimin e shpejtë të autorit dhe nënvizoi rëndësinë e një procesi ligjor të plotë dhe të shpejtë për vendosjen e drejtësisë.
“Prezenca solidarizohet me komunitetin gjyqësor të Shqipërisë dhe mbetet e përkushtuar të mbështesë përpjekjet që forcojnë sigurinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor,” përfundon deklarata./rtsh