
Institucionet në “pauzë”, kriza politike vazhdon
Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë një afat të caktuar për publikimin e vendimit të plotë të aktgjykimit të saj rreth konstituimit të Kuvendit.
Aktualisht askush nuk e ka të qartë se cilët janë hapat drejt formimit të institucioneve të reja. Sipas profesorit të shkencave politike, Basri Muja, është e paqartë pse vazhdon të zvarritet publikimi i vendimit nga Gjykata.
Sipas tij, moskonstituimi i Kuvendit dhe formimi i qeverisë kanë pasoja serioze si brenda, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, sidomos për njohje të reja të shtetësisë.
“Nuk mund të arsyetoj këtë neglizhencë të Gjykatës Kushtetuese. Ky është aktgjykimi i tretë i Gjykatës për çështjen e njëjtë dhe unë nuk e di se çfarë filozofie i duhet që të stërzgjatin këtë. Sigurisht që gjyqtarët janë ende në afatet e kornizave ligjore, por rëndësia e një vendimi të tillë është shumë e madhe dhe në këtë kuptim Gjykata Kushtetuese do të duhej ta vendoste në listën e prioriteteve më të larta dhe të sjellë aktgjykimin e plotë në mënyrë që të fillohet nëse do të ketë mundësi që të dilet nga kjo situatë”, tha Muja për rtv21.
Ish-diplomati, Lutfi Bilalli, i sheh me çudi dhe paqartësi zhvillimet politike që po ndodhin së fundi për formimin e institucioneve.
Vendimi i Gjykatës se Kuvendi nuk është konstituuar ka dhënë sinjale se LVV-ja nuk do t’u përmbahet vendimeve të Gjykatës.
”Vendimet e Kushtetueses tregojnë se Kuvendi nuk është konstituuar dhe kemi një situatë të çuditshme sepse interpretimet sidomos partia në pushtet ka pasur interpretime të ndryshme që kanë lënë të kuptohet se ky vendim nuk do të përfillet”, tha Bilalli
Profesori i shkencave politike, Basri Muja, nuk pret që ndërmjet partive politike parlamentare të ketë kompromis për zgjidhje të bllokadës politike, sidomos kur të vij koha për zgjedhjen e presidentit për të cilin duhet së paku 80 vota.
Prandaj, vlerëson se zgjedhjet e jashtëzakonshme konsiderohen të pashmangshme.
“Nuk pres që do të ketë ndonjë kompromis, sepse konstelacioni i kësaj legjislature mendoj se e bënë të pamundur dakordimin e 80 deputetëve për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së re që do të duhet sipas afateve ligjore të zgjidhet në prill të vitit të ardhshëm. Mos dakordimi për këtë çështje do të sillte zgjedhje të reja”, deklaroi Muja
Ka pak gjasa që të ketë marrëveshje politike sipas ish-diplomatit Lutfi Bilalli, i cili i referohet edhe të një deklarate të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, i cili dje e quajti partinë e Fatmir Limajt të vogël dhe të pafuqishme edhe pse kishin negociuar për koalicion.
“Ajo deklaratë ka qenë tregues që vendi të shkojë në zgjedhje”, tha Bilalli.
Albin Kurti dhe Fatmir Limaj kishin zhvilluar disa takime në tentim për të arritur marrëveshje politike, por kërkesa e Limajt për postin e kryeparlamentarit ishte e papranueshme për Kurtin. Ndërkohë, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk preferojnë të bashkëpunojnë me LVV-në.