Votimi në pako për nënkryetar të Kuvendit nuk është obligativ, Kushtetuesja lejon votim ndaras
Foto: Laura Hasani

Votimi në pako për nënkryetar të Kuvendit nuk është obligativ, Kushtetuesja lejon votim ndaras

Aktuale October 08, 2025 - 16:21

Gjykata Kushtetuese e ka publikuar sot aktgjykimin e plotë lidhur me ankesën e dorëzuar nga Lista Serbe lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Në vendim thuhet se është konstatuar që me moszgjedhjen e një nënkryetari nga ky komunitet nuk është konstituuar Kuvendi.

Sipas Kushtetueses, nuk rezulton ndonjë obligim i deputetëve për votimin në pako të nënkryetarëve të Kuvendit, qofshin ata që propozohen nga 3 (tre) grupet më të mëdha parlamentare apo komunitetet që nuk janë shumicë.

“Gjykata rikujton se nga dispozitat kushtetuese, të Rregullores së Kuvendit dhe praktika gjyqësore e Gjykatës nuk rezulton ndonjë obligim i deputetëve për votimin në pako të nënkryetarëve të Kuvendit, qofshin ata që propozohen nga 3 (tre) grupet më të mëdha parlamentare apo komunitetet që nuk janë shumicë.

Në këtë kontekst, duke qenë se votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë, i njëjti mund të realizohet nëse ka dakordim në mes të grupeve parlamentare apo deputetëve. Gjykata vëren se bazuar në praktikën parlamentare për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë që nga viti 2011, nënkryetarët nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, janë votuar dhe zgjedhur në pako.

Kësisoj, Gjykata vlerëson që një procedurë e tillë e votimit mbetet në vullnetin e deputetëve dhe grupeve parlamentare me kushtin që të realizohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit.”/KK