
Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë, Dugolli: Policia dhe AKI-ja në nivel të detyrës
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka deklaruar se Serbia po ndërhyn në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe hibride në zgjedhjet në veri të vendit, duke ushtruar frikë dhe shantazh ndaj qytetarëve serbë për t’i detyruar të votojnë për Listën Serbe.
Dugolli ka thënë se kjo parti vazhdon të funksionojë si “satelit i Beogradit dhe i Vuçiqit”, duke minuar demokracinë dhe duke dëmtuar procesin zgjedhor në Kosovë.
“Fatkeqësisht jemi dëshmitarë që Lista Serbe është një satelit i Beogradit dhe Vuçiqit, dhe sa herë që organizohen zgjedhje qoftë të nivelit lokal e ato qendrore, Serbia ndërhyn. Janë raportimet që kanë bërë organizata të ndryshme vëzhguese edhe gjatë viteve të kaluara, por tani shihet një vrull dhe intensitet edhe më i madh i Serbisë që ndërhyn në zgjedhje, pengon qytetarët, frikëson qytetarët që të votojnë për një parti, për një satelit të tyre — gjë që minon demokracinë dhe e bën këtë proces të zgjedhjeve lokale të lëndueshëm, sidomos në ato pjesë tek komuniteti serb, për shkak se demokracia ka kuptim kur marrin pjesë të gjithë në proces zgjedhor pa frikë, pa intimidime, shantazhe dhe pa presione”, tha Dugolli.
Ai ka theksuar se çështja e sigurisë është prioritet për institucionet e vendit, ndërsa ndërhyrjet e Serbisë i ka cilësuar si “forma hibride” që kërkojnë vëmendje të veçantë.
“Natyrisht që çështja e sigurisë është top prioritet për institucionet tona dhe Republikën tonë, dhe ne jemi aty ku duhet — pra Policia e Kosovës, Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe institucionet tjera të sigurisë janë në nivel të detyrës. Mirëpo këto forma të ndërhyrjes janë hibride dhe është më problem për shkak se ne shohim situatën në tërësi të sigurisë dhe mundohemi e garantojmë që siguria do të jetë në nivel. Por këto presione që janë të ndryshme, që zhvillohen me metoda hibride nga Serbia, janë paksa më problematike në kuptimin e ndërhyrjes së shtetit, sepse ne nuk mundemi të shkojmë shtëpi për shtëpi, të ndalim çdo qytetar dhe ta pyesim a ka ndonjë presion nga ndonjë subjekt apo politikan. Është më e komplikuar, prandaj tani për tani jemi të fokusuar që situata e sigurisë të jetë në nivel dhe të krijojmë një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët. Inkurajojmë të gjithë qytetarët që i nënshtrohen presioneve të tilla të raportojnë dhe të jenë bashkëpunues me organet tona të sigurisë të shtetit tonë, për shkak se Republika e Kosovës është republikë edhe e shqiptarëve, edhe e serbëve, edhe e të gjithë qytetarëve që jetojnë në këtë hapësirë”, tha ai.
Në fund, Dugolli ka theksuar se qytetarët duhet të votojnë të lirë dhe pa presione, ndërsa ka paralajmëruar se kushdo që fiton poste publike duhet t’i respektojë ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
“Në radhë të parë ne shpresojmë dhe besojmë që qytetarët të zgjedhin më të mirin, pra përfaqësimin e tyre ta bëjnë mbi bazën e vullnetit të lirë. Por nga ana tjetër një gjë duhet ta dijë secili që del në këto zgjedhje dhe pretendon të marrë pozicione udhëheqëse në komuna të caktuara: që gjendja e sigurisë në tërësi të asaj pjese nuk mund të rikthehet më kurrë ashtu siç ishte, në dëm të interesave të Republikës së Kosovës dhe thellësisht në dëm të interesave të qytetarëve të asaj ane. Secili që zgjidhet duhet të respektojë rregullat, ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës; në të kundërtën nuk do të ketë asnjë lloj tolerimi, asnjë lloj barazimi apo negociate sa i takon zbatimit të rendit dhe ligjit — ligji do të jetë për të gjithë”, theksoi ai. /EO