
Kosova mirëpret marrëveshjen e paqes Izrael – Hamas
Ministria e Jashtme e Kosovës ka lëshuar një deklaratë në lidhje me arritjen e marrëveshjes së paqes ndërmjet Izraelit dhe Hamasit.
Në deklaratë thuhet se Kosova mirëpret këtë marrëveshje, ku thuhet se shënon një moment të rëndësishëm dhe një hap përpara drejt paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë në rajon, transmeton Zeri.info.
Tutje në deklaratë Kosova ka vlerësuar lidershipin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ndërsa ka përgëzuar përpjekjet e shteteve tjera të përfshira si Turqia, Katari dhe Egjipti.
Deklarata e plotë e MPJD-së:
Republika e Kosovës mirëpret njoftimin për arritjen e marrëveshjes së paqes ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, e cila shënon një moment të rëndësishëm dhe një hap përpara drejt paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.
Kosova vlerëson lidershipin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump dhe përgëzon përpjekjet ndërmjetësuese të Turqisë, Katarit dhe Egjiptit, të cilat kanë qenë thelbësore në arritjen e këtij zhvillimi historik. Marrëveshja përfaqëson një hap vendimtar në zbatimin e fazës së parë të nismës për paqe në Gaza të Presidentit Trump, duke mundësuar vendosjen e një armëpushimi të plotë, lirimin e pengjeve dhe zgjerimin e ndihmës humanitare për civilët në nevojë në Gaza.
Republika e Kosovës rikonfirmon mbështetjen e saj të palëkundur për paqen, sigurinë dhe mbrojtjen e jetës njerëzore, dhe shpreh besimin se ky zhvillim historik do të hapë rrugën për një stabilitet të qëndrueshëm që do të sjellë përfitime për të gjithë popujt e rajonit.