Tani radha e formimit të qeverisë së re?
Foto: Laura Hasani

Tani radha e formimit të qeverisë së re?

Aktuale October 10, 2025 - 13:04

Tani që Kosova më në fund e ka një Kuvend të ri, me kryetar dhe nënkryetarë të zgjedhur, hapet rruga për hapin e radhës në formimin e institucioneve të reja, plot tetë muaj pas zgjedhjeve.

Konstituimi i Kuvendit nënkupton se Presidentja e vendit, siç i kërkohet me ligje, mund ta emërojë tani mandatarin për krijimin e qeverisë së re.

Presidentja Osmani ka detyrë ligjore ta emërojë partinë ose koalicionin fitues - në këtë rast koalicionin e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me Lëvizjen Guxo dhe Alternativën, si mandatar për krijimin e qeverisë.

Kabineti i propozuar duhet të sigurojë të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë për t’u miratuar.

Me 48 ulëse të fituara në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta sigurojë shumicën e nevojshme pa një partner koalicioni.

Image

Në rast se nuk arrin të mbledhë 61 vota, Presidentja Osmani ka detyrën brenda dhjetë ditësh të ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar qeverinë.

Mandatari ka më pas 15 ditë të tjera kohë për të dorëzuar përbërjen e re të kabinetit qeveritar në Kuvend.

Nëse as pas përpjekjes së dytë qeveria nuk mund të formohet, presidentja Osmani, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.