Prokuroria thotë se Sheholli me udhëzime të BIA-s publikoi në media online materiale inkriminuese për zyrtarët e Ministrisë së Kthimit

Prokuroria thotë se Sheholli me udhëzime të BIA-s publikoi në media online materiale inkriminuese për zyrtarët e Ministrisë së Kthimit

Aktuale October 10, 2025 - 14:07

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj Fatmir Shehollit nën dyshimin se ishte i rekrutuar i Shërbimit Inteligjent të Serbisë dhe ka vepruar nën urdhrat dhe udhëzimet e zyrtarit të BIA-s, Bojan Dimic.

Në dosjen e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Sheholli thuhet se ka mbledhur informacione për kinse pronat e uzurpuara të serbëve në Kosovë dhe të njëjtat informacione i ka përcjell te BIA përmes komunikimeve telefonike.

Sipas Prokurorisë, Sheholli, sipas udhëzimeve dhe planeve të Dimicit, më 26 shtator të këtij viti në Mitrovicë të Veriut kishte marrë materiale, audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim që dyshohet se janë komprometuese si dhe një shumë të hollave si shpërblim për publikimin e tyre, të cilat pastaj i ka publikuar në media online.

Përveç kësaj, Sheholli thuhet se nga ky person ka marrë edhe një shumë të hollash si shpërblim për publikimin e tyre të cilat më pas janë publikuar në disa prej mediave online në Kosovë.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime, me dashje dhe vetëdije, Sheholli ka ndihmuar BIA-n duke zbatuar udhëzimet e tyre dhe rrjedhimisht ka cenuar sigurinë dhe rendin juridik të Kosovës e po ashtu edhe integritetin e zyrtarëve dhe qytetarëve të saj.

Me këto veprime Sheholli dyshohet se ka kryer veprën penale “Spiunazh”, nga Neni 124, par. 3 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas Prokurorisë, gjatë bastisjeve të Policisë së Kosovës me 9 tetor 2025 në banesën e Shehollit janë sekuestruar një numër i pajisjeve elektronike, dokumentacion dhe sende të tjera, të cilat do të dërgohen në ekzaminim.