Votimi i Rashiqit, Abdixhiku: U parandaluan shkeljet e reja kushtetuese
Foto: Laura Hasani

Votimi i Rashiqit, Abdixhiku: U parandaluan shkeljet e reja kushtetuese

Aktuale October 10, 2025 - 14:10

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar se me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë sot Kosova ka Kuvend funksional.

Pasi LDK-ja votoi pro Nenad Rashiqit për këtë post, ai ka dalë me një sqarim në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, me këtë veprim është zhbllokuar procesi i formimit të institucioneve të Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, pas analizës juridike shteruese, ka vlerësuar se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka hapur rrugë për zgjedhjen e nënkryetarit të pestë dhe për konstituimin e Kuvendit. LDK-ja vlerëson se mbajtja e vendit të bllokuar për më shumë se pesë muaj, për një pozitë tërësisht formale dhe të parëndësishme, ka qenë akt i papërgjegjshëm, që ka dëmtuar interesin e Republikës. E vetëdijshme se debati i paqenë mbi Listën Serbe dhe veton e saj në procesin e konstituimit të kuvendit, ishte kthyer në temë elektorale, LDK-ja vendosi ta largojë këtë çështje nga agjenda politike dhe institucionale, duke i hapur rrugë procesit kushtetues dhe institucional të vendit”, ka shkruar ai, duke shtuar se tani është radha e LVV-së të tregojë nëse i ka votat për qeveri.

“Me këtë veprim u zhbllokua procesi për themelimin e institucioneve të reja, si dhe u parandaluan shkeljet e reja kushtetuese të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, duke përfshirë uzurpimin e institucioneve nga një qeveri pa legjitimitet dhe pa autorizime ligjore e kushtetuese. LDK-ja, edhe një herë, siç i takon e siç beson, shfaqet si parti përgjegjëse drejt institucioneve dhe vetë Republikës. Rruga për formimin e qeverisë është tashmë e hapur. Për 177 ditë me radhë, ata kanë thënë se i kanë votat. Tani le ta dëshmojnë këtë fakt para qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar ai.