Haxhiu: LVV-ja e interesuar për koalicion qeverisës, por pa PDK-në dhe Listën Serbe

Haxhiu: LVV-ja e interesuar për koalicion qeverisës, por pa PDK-në dhe Listën Serbe

Aktuale October 10, 2025 - 14:17

Albulena Haxhiu, nënkryetare e Kuvendit dhe deputete e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka thënë të premten se partia fituese e zgjedhjeve është e interesuar për të gjetur një partner koalicioni për ta qeverisur vendin, pasi të premten u konstituua Kuvendi i Kosovës.

Në një konferencë për media pas seancës së Kuvendit, Haxhiu tha se partia e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është e hapur për koalicion me të gjitha partitë parlamentare, përjashtuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Listën Serbe.

“Ne do të fillojmë me procedurat për dërgimin e emrit të mandatarit tonë, kryeministrit Albin Kurti. Ne do t'i vazhdojmë komunikimet edhe me deputetët e tjerë nëse kanë vullnet të jenë pjesë e qeverisë”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se LVV-ja është e hapur të bisedojë edhe me “deputetë që janë nga grupet parlamentare apo subjektet e tjera politike. Ka pasur përpjekje me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ka pasur kontakte që të kemi koalicion me Nismën, por s’kanë pasur vullnet”.

Zgjedhja e deputetit të partisë serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, si nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb të premten, hapi rrugë për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Por, kjo mund të marrë kohë duke qenë se Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – paralajmëroi se do të ankohet ndaj emërimit të Rashiqit.

Tani, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka detyrë ligjore të emërojë partinë ose koalicionin fitues - në këtë rast koalicionin e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me Lëvizjen Guxo dhe Alternativën, si mandatar për krijimin e Qeverisë.

Kabineti i propozuar duhet të sigurojë të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë për t’u miratuar.

Me 48 ulëse të fituara në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta sigurojë shumicën e nevojshme pa një partner koalicioni.

Në rast se nuk arrin të mbledhë 61 vota, presidentja Osmani ka detyrën brenda dhjetë ditësh të ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë.

Mandatari ka më pas 15 ditë të tjera kohë për të dorëzuar përbërjen e re të kabintetit qeveritar në Kuvend.

Nëse as pas përpjekjes së dytë qeveria nuk mund të formohet, presidentja Osmani, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.