Ejup Maqedonci nderohet në SHBA, vendoset në “Hall of Fame” të Kolegjit të Ushtrisë Amerikane

Ejup Maqedonci nderohet në SHBA, vendoset në “Hall of Fame” të Kolegjit të Ushtrisë Amerikane

Aktuale October 14, 2025 - 16:01

Ministri në detyrë i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci është nderuar me një nga vlerësimet më të larta ushtarake ndërkombëtare, duke u futur në Sallën e Famës (Hall of Fame) të Kolegjit të Luftës të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (US Army War College).

Në ceremoninë e mbajtur në Shtetet e Bashkuara mori pjesë edhe Gjenerali Randy A. George, Shef i Shtabit të Ushtrisë së SHBA-së, gjë që e shtoi edhe më shumë rëndësinë e këtij nderimi.

“Është nder jetësor për mua ky vlerësim, duke më vendosur në Sallën e Famës të Kolegjit të Luftës të Ushtrisë së SHBA-ve,” u shpreh Maqedonci.

Përmes një postimi në Facebook, ai theksoi se ky çmim nuk është vetëm një arritje personale, por një reflektim i punës së përbashkët me shumë profesionistë të mbrojtjes në Kosovë gjatë gjithë karrierës së tij.

“Këtë vlerësim nuk e llogaris vetëm si një arritje personale, por edhe një pasqyrim i përkushtimit, profesionalizmit dhe përpjekjes së përbashkët të të gjithë atyre me të cilët kam pasur fatin dhe mundësinë të shërbej gjatë karrierës sime”, ka shkruar Maqedonci.

Maqedonci falënderoi Kolegjin e Luftës të Ushtrisë së SHBA-së për këtë nderim, si dhe për mundësinë që i ishte ofruar vite më parë për të përfunduar studimet në këtë akademi prestigjioze ushtarake, të cilat ai i cilësoi si formuese për karrierën e tij profesionale dhe jetën personale.

“Ky nderim më forcon më tej bindjen time në fuqinë e shërbimit, udhëheqjes dhe mësimit të përjetshëm — vlera që kapërcejnë kufijtë dhe bashkojnë të gjithë ata që i shërbejnë vendit dhe komunitetit të tyre,” shtoi ai.