
Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Gjermanisë, Rainer Rudolph
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës Federale të Gjermanisë, Rainer Rudolph.
Osmani i ka uruar ambasadorit Rudolph mirëseardhje dhe suksese në angazhimin e tij diplomatik në Kosovë, duke shprehur mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen e pandërprerë të Gjermanisë në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe forcimit të pozitës ndërkombëtare të vendit tonë.
Në njoftim nga Presienca, thuhet se në këtë kontekst, Presidentja Osmani theksoi se Gjermania ka qenë dhe mbetet një aleate e fuqishme e Kosovës dhe një mbështetëse e palëkundur në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
“Gjatë takimit, u theksua rëndësia e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, si dhe kontributi i çmuar i mërgatës sonë në Gjermani, e cila përmes angazhimit dhe investimeve të saj po forcon lidhjet mes dy vendeve dhe popujve tanë”.
“Presidentja Osmani shprehu bindjen se partneriteti i ngushtë ndërmjet dy vendeve do të vazhdojë të thellohet në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë gjatë mandatit të ambasadorit”,thuhet në njoftim. /Zëri
