Analistët shprehen se s’ka vullnet për formim të qeverisë, zgjedhjet e reja në dhjetor
Foto: Laura Hasani

Analistët shprehen se s’ka vullnet për formim të qeverisë, zgjedhjet e reja në dhjetor

Aktuale October 15, 2025 - 18:35

Njohësit e çështje politike dhe kushtetuese vlerësojnë se vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare në mesin e muajit dhjetor, pasi sipas tyre as Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve e as ish –partitë opozitare nuk i kanë votat për formimin e qeverisë.

Sipas tyre afati kushtetues që përfundon brenda 11 ditëve do të konsumohet, pavarësish se Kurti është mandatar për kryeministër nga presidentja e Kosovës.

Avokati, Arbër Jashari vlerëson se Kurti nuk është duke punuar për të siguruar votat për formimin e qeverisë.

“Nuk po shoh një sjellje të tij në drejtim të marrëveshjeve politike për formimin e qeverisë. Vazhdon të thotë se do ta formojë, por deri tash nuk kemi pa asnjë takim me ndonjë parti politike. Nuk pres që brenda këtij afati që z. Kurti të arrijë të krijojë një koalicion që Qeveria t’i marrë votat e mjaftueshme në Kuvend”, tha ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Se nuk do të ketë formim të qeverisë së re brenda afateve kushtetuese vlerëson edhe Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Madje ai shprehet se është se të gjitha partitë sikurse janë pajtuar për shkuarje në zgjedhje

“Duke parë gjendjen faktike në teren ku partitë shqiptare që përfaqësohen në Kuvend, nuk kanë treguar se kanë ndonjë vullnet për të qeverisur, sepse po të kishte një vullnet të tillë ne sot do të kishim qeverinë. Ajo çka pres unë që në këtë përudhë të dështojë formimi i Qeverisë. Gjasat reale janë që ne të shkojmë në zgjedhje në mesin e muajit dhjetor”, ka thënë Bugaqku në Tëvë1.