Haradinaj i kënaqur me rezultatin zgjedhor: Kemi mbi 100 asamblistë

Haradinaj i kënaqur me rezultatin zgjedhor: Kemi mbi 100 asamblistë

Aktuale October 15, 2025 - 19:55

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se partia e tij ka arritur rezultat historik në këto zgjedhje.

Ai u shpreh se mumri i përgjithshëm i asamblistëve të zgjedhur të Aleancës sipas tij, tashmë ka kaluar 100.

“Sot, bashkë me kolegët nga Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës, diskutuam mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe rezultatin e arritur. Aleanca ka fituar pa balotazh në Deçan, ndërsa me numërimin e votave me kusht dhe atyre nga diaspora, presim fitore në raundin e parë edhe në Gjakovë, Suharekë dhe Klinë. Në Rahovec, jemi fitues absolut që në raundin e parë, me diferencë të theksuar nga partia e dytë, ndërsa në Junik hyjmë në raundin e dytë të vendosur për fitore”.

“Gjithashtu, në pesë komuna Aleanca renditet e para me numër të asamblistëve në kuvendet komunale. Numri i përgjithshëm i asamblistëve të zgjedhur të Aleancës tashmë ka kaluar 100, pa i llogaritur ende votat e diasporës dhe ato me kusht, me pritje që ky numër të rritet më tej. Pikë tjetër e diskutimit në mbledhjen e sotme ishte edhe procesi i krijimit të institucioneve qendrore, ku Aleanca do të marrë qëndrime të qarta dhe të përgjegjshme në përputhje me interesin e vendit”, u shpreh tutje Haradinaj.