
Rama reagon ashpër ndaj LVV-së: Para 10 vjetësh s’e njihte pafajësinë e Thaçit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, pas një postimi të kësaj të fundit në Facebook, ku pretendohej se ai kishte ardhur në Kosovë me helikopter për të bindur palët që të votonin pro themelimit të Gjykatës Speciale.
Përmes një reagimi në platformën “X”, Rama mohoi kategorikisht këto pretendime, duke theksuar se ai ka denoncuar, në çdo kohë dhe vend, atë që e cilëson si farsë kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
Tutje, ai thotë se është e njohur për opinionin publik se sa pak ka lëvizur Lëvizja Vetëvendosje në këtë drejtim, dhe shpreh keqardhje që kjo pari i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në “çorbën e balotazheve komunale”.
“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim. Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale”, thuhet në postimin e Ramës.
Ndër të tjera, shefi i Qeverisë shqiptare, nëpërmjet këtij reagimi, ia kujtoi LVV-së se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, “jo për të marrë peng presidentin e Republikës së Kosovës.
“Ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng presidentin e Republikës së Kosovës”.
Në fund Rama ia kujton LVV-së se ai nuk është organizator e as folës i protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, por e mbështet me gjithë zemër.
“Dhe e fundit, unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, të cilën e mbështes me gjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj”, përfundon postimi i Ramës.