Kosova akuzon Serbinë për zvarritje në hetimin e varrezës masive

Kosova akuzon Serbinë për zvarritje në hetimin e varrezës masive

Aktuale October 17, 2025 - 21:14

Punët për zbardhjen e fatit të të pagjeturve në një deponi në fshatin Kozhlje, afër Novi Pazarit, që kanë filluar tash e një muaj, po zhvillohen me intensitet të ulët dhe ndërprerje të shpeshta, gjë që sipas palës kosovare përbën një strategji të qëllimshme të autoriteteve serbe për të penguar zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Gërmimet për gjetjen e të pagjeturve, të cilat kishin filluar në fillim të muajit shtator në një deponi në fshatin Kozhle, afër Novi Pazarit, aktualisht po zhvillohen me intensitet të ulët. Ato shpeshherë ndërpriten dhe rifillojnë.

Sipas palës kosovare, kjo qasje zvarritëse duket se synon të pengojë procesin e identifikimit dhe gjetjes së mbetjeve mortore në këtë lokacion, ku dyshohet se ndodhet një varrezë masive.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka deklaruar se pala serbe po tregohet jo bashkëpunuese.

Ai ka theksuar se Serbia po vazhdon ta zvarris punën në terren për zbardhjen e fatit të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë.

"Po donë me bo Kozhlen një praktikë që e kanë pasur në Rudnicë dhe Kizhevak, dy lokacione tjera që i kanë trajtuar që i kanë marrë ka pese vite të dyja. Të shtyjmë kinse punët edhe nja pesë vite në Kozhle dhe pas pesë viteve të shikojmë, ndryshon situata dhe harrohen këto punë. Ky është qëllimi i tyre, sepse me qenë në anën e tyre ata po donë me i ikë përgjegjësisë së krimit", theksoi Hoti.

Për shkak të kësaj, Hoti ka thënë se brenda këtij viti nuk pritet madje as terreni të bëhet gati për gërmime.

"Me qenë i drejtpërdrejtë, mos me mbajtë shpresë familjet, unë nuk besojë që brenda këtij viti do të shkojmë tek lokacioni që është 15 metra nën mbeturina ku dyshohet varreza masive kështu që dyshoj se do të shtyhet për vitin e ardhshëm", tha Hoti.

Haki Kasumi, nga Shoqata për Hulumtimin e Fatit të Personave të Pagjetur, thekson se shtyrja e përditshme e zbardhjes së fatit të të zhdukurve është një politikë e vazhdueshme serbe, e cila sipas tij njehë vetëm presionin.

“Informatat për këta të gjitha i ka në dosje të veta Serbia po s’po kem fuqi force e miq te duhur ne bashkësinë ndërkombëtare, sepse ata vetëm me presion mund te japin dhe ti hapin arkivat e tyre”, theksoi Kasumi.

Në takimin e fundit të shtatorit në Bruksel mes negociatorëve kosovarë dhe serbë, me ndërmjetësimin e emisarit evropian Sorensen, Serbia zyrtarisht ka refuzuar zbatimin e Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur, duke kërkuar ndryshimin e termave të referencës, terma këto të miratuar në dhjetor të 2024 të Komisionit të Përbashkët për Personat e zhdukur ndërmjet të dy palëve në Bruksel. /rtk