
KQZ: 36 Komuna përfundojnë numërimin – mbi 97% e vendvotimeve të numëruara, vazhdon procesi për votat jashtë Kosovës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i verifikimit dhe numërimit të votave në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) po shkon drejt përfundimit.
Deri në këtë orë, janë verifikuar rezultatet për 2,499 vendvotime për zgjedhjet e kryetarëve të komunave dhe po aq për subjektet politike në zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Në total, nga 5,142 kuti votimi, janë procesuar 4,999, që përbën mbi 97% të vendvotimeve.
Sipas njoftimit, aktivitetet janë përmbyllur në 36 komuna, përfshirë Junikun, Mitrovicën e Veriut, Rahovecin, Ferizajn, Vushtrrinë, Gjakovën, Pejën, Gjilanin dhe Malishevën. Aktualisht, procesi po vazhdon vetëm në QKN e Prishtinës dhe Prizrenit.
Në Qendrat Komunale të Numërimit po zhvillohen tre aktivitete kryesore:
Verifikimi i rezultateve për kryetarë komunash;
Verifikimi i rezultateve për subjektet politike;
Numërimi i votave për kandidatët e Kuvendeve Komunale.
Të gjitha rezultatet po publikohen në platformën zyrtare të KQZ-së: resultslocal2025.kqz-ks.org, vendvotim pas vendvotimi.
Numërimi i votave nga jashtë Kosovës
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon dita e dytë e numërimit të fletëvotimeve të dërguara nga jashtë Kosovës. Deri në orën 16:00 janë numëruar 32 kuti që i përkasin zgjedhjeve për kryetarë komunash dhe 23 kuti për zgjedhjet e kuvendeve komunale.
Procesi i votimit jashtë Kosovës është zhvilluar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025, ndërsa pakot janë tërhequr nga KQZ më 13 dhe 14 tetor nga 23 kuti postare në 22 shtete të ndryshme.
Nga 33,841 pako të supozuara me fletëvotime, pas vlerësimit janë aprovuar 29,636, ndërsa 3,977 janë refuzuar për arsye të ndryshme, përfshirë mungesën e dëftesës së regjistrimit, mungesën e pullës postare ose praninë e më shumë se një fletëvotimi në një zarf.