Ambasadorja Maloku në Brazil, takon presidentin e IBREI-t

Ambasadorja Maloku në Brazil, takon presidentin e IBREI-t

Aktuale October 18, 2025 - 20:56

Në përmbyllje të vizitës së saj në Brazil, ambasadorja e Republikës së Kosovës në Lisbonë që mbulon edhe Brazilin, Edona Maloku, ka zhvilluar një takim me Mauricio Prazak, President i Institutit Brazilian për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Biznesit (IBREI), një organizatë që bashkon qindra biznese dhe shoqata braziliane.

Gjatë takimit, ajo thotë se ka diskutuar për zhvillimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Brazilit, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në fusha që mund të sjellin përfitime të ndërsjella për të dy vendet.

Ambasadorja Maloku vlerësoi misionin e IBREI-t për ndërtimin e urave midis Brazilit dhe botës përmes bashkëpunimit, investimeve dhe partneriteteve biznesore, duke theksuar se ky vizion përputhet me angazhimin e Kosovës për bashkëpunim global dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

“Urat lidhin njerëzit, idetë dhe përparimin për të gjithë,” u shpreh ambasadorja Maloku në fund të takimit.