Armatimi në veri, Gecaj: Vetëm marrëveshja politike Kosovë-Serbi çarmatos serbët
Foto: Laura Hasani

Armatimi në veri, Gecaj: Vetëm marrëveshja politike Kosovë-Serbi çarmatos serbët

Aktuale October 19, 2025 - 08:14

Mbetjet e armatimit serb vazhdojnë të zbulohen ende në veriun e Kosovës. Javën që lamë pas Policia e Kosovës gjeti uniforma ushtarake si dhe jelekë e këmisha të policisë së Serbisë.

Eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj  ka thënë se municion e armë në veri do të gjenden ende, por thekson se vetëm një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë mund ta çarmatos veriun.

“Kjo për mua nuk paraqet ndonjë lajm të veçantë sepse dihet mirë që në veri janë gjetur armë edhe në të kaluarën dhe kemi paralajmëruar edhe më tutje armë, sepse sasia e tyre nuk ka qenë e vogël, ajo ka qenë e madhe dhe ende është sasi e madhe, dhe e them se prapë do të gjenden armë të tilla. Mirëpo këto gjëra për të mos ndodhur, atëherë sigurisht që përmbyllen me një marrëveshje politike dhe jo duke shkuar dhe duke gjetur armë, sepse dihet që janë aty dhe do të gjenden edhe më tutje. Vetëm një marrëveshje përfundimtare midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, atëherë do të sjellë një momentum të ri politik dhe do të shuhen ato nevoja të popullatës serbe që të jenë të armatosur dhe të kenë armatime të cilat merren nga institucionet legale të Serbisë dhe futen brenda territorit të Kosovës”, tha Gecaj.

Gecaj edhe si një ish ushtarak, tha se qëllimi i Serbisë është destabilizimi i Kosovës, i cili mund të shkojë deri në një anarki të brendshme.

“Këto armatime Serbia i përdor për destabilizimin e Kosovës dhe në këto faza të cilat gjendemi, ky destabilizim mund të shkojë deri në nivelet e një anarkie të brendshme, pa arritur në atë nivelin më të lartë ku mund të cenohet edhe siguria nacionale dhe më pastaj edhe ajo evropiane, deri tek ajo botërore, për shkak se aspektet e sigurisë janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën. Të gjitha konfliktet që sot ndodhin në botë pothuajse kanë akterët e përafërt të cilët i nxisin ato, dhe po ashtu kemi palën tjetër e cila i paraprinë që të mos ndodhin luftëra që mund të ndodhin”, deklaroi Gecaj.

Gecaj bëri thirrje për një vigjilencë më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare për mënyrën se si po sillet Serbia.

“Në Kosovë duhet të jetë vigjilente Bashkësia Ndërkombëtare dhe në veçanti institucionet ndërkombëtare të cilat duhet të kenë kujdes me punën e vet që e bëjnë dhe me aktivitetet që i kanë, në mënyrë që të mos sjellin një momentum që do të ishte i dëmshëm për Kosovën. Gjithmonë është e nevojshme që të kemi një numër të përshtatshëm të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës me personel dhe pajisje të gatshme për intervenime të tilla, edhe KFOR gjithashtu. Por gjithmonë, preventiva më e mirë është politika; varësisht se çfarë politike kemi në vend, e tillë do të jetë edhe gjendja edhe situata e sigurisë. Një politikë sa më efikase, nevoja për mbrojtje, për siguri janë më të vogla”, theksoi ish-ushtaraku Gecaj./EO