KFOR-i zhvillon stërvitje me helikopterë amerikanë në jug të Kosovës

KFOR-i zhvillon stërvitje me helikopterë amerikanë në jug të Kosovës

Aktuale October 19, 2025 - 17:13

Ushtarët e këmbësorisë gjermane të KFOR-it, të mbështetur nga aviacioni amerikan dhe njësitë për Asgjësimin e Mjeteve Shpërthyese (EOD) nga Komanda Rajonale Lindje, kanë zhvilluar një stërvitje me zbarkim me helikopter në pjesën jugore të Kosovës, ka njoftuar misioni paqeruajtës i NATO-s, duke publikuar edhe një video nga ushtrimi.

Sipas njoftimit, helikopterët UH-60 Black Hawk kanë vendosur trupat në mbështetje të një patrulle të pavarur.

Stërvitja kishte për qëllim përmirësimin e lëvizshmërisë së shpejtë ajrore, procedurave të zbarkimit dhe koordinimit midis ekipeve të këmbësorisë, aviacionit dhe EOD-së, duke forcuar ndërveprimin dhe gatishmërinë operacionale ndërmjet kontingjenteve gjermane dhe amerikane.

Përmes aktiviteteve të tilla të përbashkëta, KFOR-i ka theksuar se “vazhdon ta ruajë kohezionin dhe efektivitetin e forcave të saj shumëkombëshe, duke kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit në mbarë Kosovën.”

KFOR ka përsëritur gjithashtu se “vazhdon ta zbatojë mandatin e saj për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, duke shtuar se “punon në bashkërendim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë.”