
Kosova, pa program skriningu për kancerin e gjirit
Edhe 25 vjet pas luftës, Kosova ende nuk ka një program funksional dhe të zbatueshëm të skriningut për kancerin e gjirit. Kjo konsiderohet një sfidë serioze për sistemin shëndetësor dhe për shëndetin e grave në vend.
Tetori Rozë, i njohur gjithashtu si Muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, shënon rëndësinë e diagnostikimit të hershëm, që shpëton jetë. Sipas të dhënave, çdo vit në Kosovë diagnostikohen rreth 350–500 raste të reja me kancer të gjirit.
Besim Kodra, nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë, tha për Radio Kosovën se mungesa e një programi funksional të skriningut bën që shumë raste të zbulohen në faza të avancuara, duke shtuar vuajtjet e pacienteve, kostot e trajtimit dhe rrezikun për jetën.
“Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë duhet të hartojnë programe dhe procedura që sigurojnë qasje të grave mbi moshën 40-vjeçare në mamografi. Kjo garanton që çdo femër ka mundësi të bëjë një kontroll gjatë vitit, duke ulur vuajtjet dhe dhimbjet, shpëtuar jetë dhe kursyer një pjesë të konsiderueshme të buxhetit për trajtimin e sëmundjeve të avancuara”, tha Kodra.
Fushatat vetëdijesuese të organizuara nga profesionistët e shëndetësisë dhe organizatat joqeveritare kanë kontribuuar në rritjen e ndërgjegjësimit publik rreth kancerit të gjirit.
Megjithatë, Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi, thekson se vetëm përmes zbatimit të programeve të strukturuara të skriningut mund të diagnostikohen më shumë raste në fazat e hershme, kur trajtimi është më efektiv dhe shanset për shërim më të larta.
“Me programet e zbatueshme të skriningut në Kosovë, që pritet të implementohen në vitet e ardhshme, do të mund të identifikojmë sëmundjet kanceroze në stadet e para dhe të dyta jo në 50% të rasteve, por në një përqindje shumë më të lartë. Trajtimi do të jetë më i lehtë dhe më efektiv, duke ofruar shpresë për zgjidhje dhe trajtime moderne që vendosin sëmundjen nën kontroll dhe mundësojnë jetesë më të gjatë për pacientët”, thekson Kurtishi.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka hartuar dhe miratuar planet e veprimit për programet e skriningut të kancerit për periudhën 2026–2028, ndërsa zbatimi i tyre pritet të nisë nga viti i ardhshëm.
Këto programe përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të shëndetit publik, duke synuar diagnostikimin e hershëm, trajtime më efektive dhe reduktimin e normës së vdekshmërisë nga kanceri i gjirit në Kosovë.