
LDK-ja reagon pasi Xhafer Tahiri lidhi koalicion me LVV-në në Vushtrri
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas koalicionit që kandidati i tyre për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka nënshkruar me Lëvizjen Vetëvendosje në këtë komunë.
Sipas LDK-së, ka thënë se nuk dhënë autorizim për një koalicion të tillë dhe se veprimet e Tahirit janë individuale.
“Lidhja Demokratike e Kosovës njofton anëtarësinë e vet dhe publikun e gjerë se nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë. Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër, janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Kjo pari ka thënë se pret të analizohet performanca e kandidatit dhe e Degës së Vushtrrisë, dhe pas këtyre hapave të marrë vendimet përkatëse.
“Veprimet e tjera, sikurse ky i sotmi, janë pa ndonjë vlerë dhe në kundërshtim me praktikën demokratike të LDK-së. Si të tilla, ato do të marrin trajtim procedural sipas Statutit pas përfundimit të garës lokale. LDK-ja tani është e fokusuar në garën e saj elektorale të balotazhit dhe jo në garën e partive tjera”, thuhet nga LDK-ja.