
Nga kjo e dielë do të flemë një orë më shumë, po kalojmë në orën e dimrit
Ora e dimrit në pjesën më të madhe të Evropës fillon natën midis të shtunës dhe të dielës, më 25 dhe 26 tetor 2025.
Ora e saktë kur akrepat lëvizin një orë prapa është ora 03:00 e mëngjesit.
Pra, kemi një orë "më shumë" për të fjetur.
Me kthimin në kohën e dimrit, dielli do të lindë dhe do të perëndojë më herët.
Gjithashtu, ditët do të kenë më pak dritë në orët e pasdites.
Në fakt, ora dimërore i referohet kohës standarde që përdoret gjatë pjesës më të madhe të vitit.
Nga ana tjetër, ora verore u prezantua për të shfrytëzuar më mirë dritën e ditës, veçanërisht në orët e mbrëmjes, duke i zhvendosur akrepat e orës një orë përpara në fund të marsit.
Ideja e zhvendosjes së orëve prapa daton që nga shekulli i 18-të, kur u propozua nga Benjamin Franklin, por vetëm në shekullin e 20-të u përdor gjerësisht, veçanërisht gjatë luftërave botërore dhe krizës energjetike të viteve 1970.
Qëllimi kryesor ishte kursimi i energjisë, por me zhvillimin e teknologjisë dhe ndryshimet në stilin e jetës, përfitimet u bënë çështje debati.
Edhe pse ndryshimi i orës mund të duket si një ndryshim i vogël, shumë ekspertë paralajmërojnë se ai mund të ndikojë në orën e brendshme biologjike të një personi.
Në ditët pas ndryshimit të orës, disa njerëz mund të përjetojnë lodhje, ulje të përqendrimit dhe shqetësime të gjumit.
Bashkimi Evropian ka diskutuar për heqjen e ndryshimeve sezonale të orës për vite me radhë.
Në vitin 2019, Parlamenti Evropian votoi për një propozim për heqjen e ndryshimit të detyrueshëm të orës, por vendimi ende nuk ka hyrë në fuqi sepse shtetet anëtare nuk kanë arritur një konsensus nëse do të qëndrojnë përgjithmonë në orën verore apo dimërore.