
Osmani: “Darka e Lamës” është festë e falënderimit dhe mirënjohjes
Nën organizimin e presidentes Vjosa Osmani, mbrëmë u mbajt Darka tradicionale e Lamës, në prani të ambasadorëve të vendeve mike, si dhe përfaqësuesve të institucioneve shtetërore dhe të jetës shoqërore.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, siç ka njoftuar Presidenca, Osmani theksoi se toka është rrënja që mban çdo komb të bashkuar dhe dëshmia më e qartë se puna dhe përkushtimi sjellin begatinë dhe suksesin.
Presidentja kujtoi se kjo darkë është nismë e presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova dhe njëkohësisht shprehje e urtësisë së tij se kombi forcohet me punë, dije dhe dashuri ndaj tokës që na ushqen.
Më tej, thuhet se, Osmani vuri në pah sukseset e prodhimeve vendore që tashmë njihen edhe jashtë Kosovës, si ajvari i grave të Krushës, verërat e Rahovecit e Suharekës, si dhe rrushi, mjalti, frutat, çajrat, e shumë produkte të tjera, duke theksuar se këto produkte nuk janë vetëm mallra ekonomike, por edhe tregim i punës, pasionit dhe përkushtimit të njerëzve të Kosovës.
Në përmbyllje, Presidentja theksoi se “Darka e Lamës” është më shumë se një festë e bereqetit është një moment reflektimi dhe falënderimi për punën, bashkimin dhe shpirtin e mirënjohjes që e karakterizon popullin e Kosovës.
Ajo shprehi mirënjohje për aleatët që qëndruan gjithnjë pranë nesh, për institucionet e sigurisë që mbrojnë sovranitetin e vendit dhe sigurinë e qytetarëve, për punonjësit shëndetësor e arsimor, organizatat e të drejtave të njeriut dhe shume përfaqësues të tjerë të cilët u mblodhën për ta festuar këtë traditë të lashtë të popullit tonë.
“‘Darka e Lamës’ është një festë e mirënjohjes ndaj: punëtorit, fermerit, ndaj begatisë, ndaj natyrës që na fal, dhe ndaj Zotit që na jep bekim. Është moment për të kujtuar se fuqia e një kombi nuk matet vetëm me numrat në ekonomi, por me lidhjen shpirtërore që ai ka me tokën e vet dhe me traditën”, ka theksuar Presidentja Osmani. /Zëri


