
Afati për krijimin e qeverisë së re, partitë ende pa marrëveshje
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një takim me bashkatdhetarët në Londër, ka thënë se po punojnë për arritjen e një marrëveshjeje për një koalicion i cili mundëson krijimin e qeverisë së re. PDK e AAK kanë qëndrimet e njëjta se nuk do të bëjnë koalicion me VV-në, ndërsa nga LDK-ja nuk janë përgjigjur.
Përderisa 26 tetori po afron, kur edhe pritet të mblidhen deputetët në seancën për krijimin e qeverisë së re, e i mandatuar nga presidentja Osmani është kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, fitues i zgjedhjeve të fundit, Albin Kurti, nga partia e tij nuk janë deklaruar nëse i kanë numrat për krijimin e qeverisë.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka udhëtuar drejt Londrës për të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që mbahet të mërkurën. E në një takim me bashkatdhetarët atje, Kurti ka folur për ofertën që ia ka bërë Nismës Socialdemokrate.
Ai tha se kësaj partie i ka ofruar një ministri, dy zëvendësministra dhe pozitën e nënkryetarit të Kuvendit.
“Në këto ditët e mbetura jemi duke bisedu, nuk është kollaj, por është intoksiku atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inate, cinizëm, shumë më shumë se ide, punë e pasion, por jemi ku jemi dhe do të përpiqemi që ta bëjmë qeverinë, përndryshe siç po shihet alternativë është do të shkojmë në zgjedhje prapë”, ka thënë Kurti.
E përgjigjen e njëjtë vazhdon ta kenë për Vetëvendosjen nga Partia Demokratike e Kosovës.
Deputeti Rashit Qalaj ka thënë përmes telefonit se qëndrimi i PDK-së është i njëjtë dhe se kjo parti nuk ka votë për Kurtin. Sipas tij, Kurti nuk i ka numrat e nevojshëm për ta formuar qeverinë e re të vendit.
Derisa nga PDK përsërisin kundërshtimin, askush nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka pranuar të tregojë nëse do ta mbështesin nismën e Kurtit për qeverinë.
“Janë bërë pothuajse një javë qëkur Radiotelevizioni i Kosovës ka kërkuar një qëndrim nga Lidhja Demokratike e Kosovës sa i përket formimit të qeverisë së re. Pavarësisht insistimit, askush nga anëtarët e partisë apo edhe zëdhënësi Besian Mustafa nuk i janë përgjigjur kërkesës sonë”.
Qëndrimin e njëjtë vazhdojnë ta kenë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Time Kadrijaj ka thënë se AAK i qëndron vendimit se nuk ka votë për Qeverinë Kurti 3 dhe se ende nuk ka pranuar asnjë ftesë nga Vetëvendosje për takim.
Se qeveria e ardhshme kur të formohet nuk do të zgjasë shumë, thotë analisti Dorajet Imeri, sipas të cilit, me këtë ritëm, zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të pashmangshme.
“Besoj që partitë politike në vend duhet të bëjnë një zgjidhje për interesin nacional, përmes një bashkëveprimi të arsyeshëm, sepse do të ishte fort e rëndësishme që të formohej qeveria, të procedohet në Kuvend projektbuxheti i vitit të ardhshëm, të funksionalizohen shumë institucione të cilat janë peng i mosfunksionimit të Kuvendit dhe pastaj të përgatitemi për një fazë që me gjasë do të jenë zgjedhjet”, tha Imeri.
Afati i fundit sipas rregulloreve është ditën e diel, më 26 tetor. /rtk