
Refuzohet kërkesa e Kilajt, Thaçit dhe Kuçit që të shtyhet afati për dorëzimin e dosjeve paraprake
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë kanë rrëzuar një kërkesë të Isni Kilajt, e cila ishte mbështetur nga Hashim Thaçi dhe Hajredin Kuçi, që afati për dorëzimin e dosjeve paraprake të shtyhet në rastin ku ata së bashku me Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Më 16 tetor, mbrojtja e Kilajt kishte paraqitur kërkesë që të shtyhet afati për dorëzimin e dosjes paraprake në këto procedura. Një ditë pasi ajo ishte njoftuar nga Prokuroria se më 17 tetor do ta merrte një kopje të plotë nga raporti forenzik i telefonit të Kilajt, nga e cila edhe do të bëhej shqyrtim i rëndësisë së këtij raport.
Si pasojë e këtij zhvillimi, mbrojtja e Kilajt kishte thënë se ekziston shkak i arsyeshëm për të kërkuar një zgjatje të afatit për paraqitjen e dosjes së saj paraprake.
Si argument, Kilaj e ka përdorur faktin se varësisht nga rezultati i ekzaminimit forenzik të telefonit të tij, provat në të cilat Prokuroria mbështetet për të ndërtuar çështjen e saj mund të ndryshojnë.
Përveç kësaj, mbrojtja e Kilajt thotë se ata nuk janë të detyruar që të paraqesin ndonjë parashtrim paragjyqësor dhe nëse nuk zgjatet afati, ata thjesht nuk do ta bëjnë një gjë të tillë.
Si rrjedhojë, Kilaj i kërkon gjyqtares së procedurës paraprake që të ndryshojë afatin e paraqitjes së parashtresave paragjyqësore në afat prej shtatë ditësh pas nxjerrjes së të gjitha materialeve shtesë nga ana e Prokurorisë.
Kësaj kërkesë i janë bashkuar edhe mbrojtja e Thaçit dhe ajo e Kuçit. Kjo e fundit ka parashtruar se janë në pritje të raportit përfundimtar të një mbrojtësi të pavarur lidhur me pajisjet e sekuestruara nga Hajredin Kuçi. Si rrjedhojë, mbrojtja e tij ka parashtruar se hetimet e tjera në vazhdim mund të rezultojnë po ashtu të rëndësishme për ata.
Kurse, këtë kërkesë të mbrojtjes së Kilajt, e cila u mbështet më pas nga mbrojtja e Thaçit dhe Kuçit, u kundërshtua nga Prokuroria me arsyetimin se janë spekuluese pretendimet se do të gjenden prova në telefonin e Kilaj, dhe kërkoi refuzimin e kësaj kërkese.
Ndërsa, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marijorie Masselot ka thënë se është i gabuar argumenti i Kilajt se provat e ZPS-së, në të cilat do të mbështetet Prokuroria mund të ndryshojnë.
“Disa materiale në këtë çështje, të sekuestruara nga të Akuzuarit dhe të mbrojtura me fjalëkalime që disa të Akuzuar kanë zgjedhur të mos i ndajnë vullnetarisht, kërkojnë analizë nga institute forenzike të jashtme, gjë që ndikon në ecurinë e procesit të zbulimit të provave”, thuhet në vendim.
Sipas vendimit, gjyqtarja ka konstatuar se çdo provë shtesë, e cila potencialisht mund të zbulohet gjatë shqyrtimit nga ana e Prokurorisë mund të përdoret vetëm si plotësuese pa ndryshuar përmbajtjen dhe natyrën e akuzave në këtë fazë.
“Çdo provë potencialisht shfajësuese që do të zbulohet sipas Rregullave 102 (3) ose 103 të Rregullave duhet dhe do të shqyrtohet gjatë gjykimit. E njëjta arsyetim vlen për argumentet e paraqitura nga Mbrojtja e Kuçit lidhur me shqyrtimin në vazhdim të pajisjeve të z. Kuçi dhe “hetimet e tjera në vazhdim”, thuhet në vendim.
Ndërsa, për vendimin e mbrojtjes që në rast që nuk zgjatet afati, nuk do të paraqesin ndonjë parashtresë, gjyqtarja thotë se kjo është zgjedhje e tyre pasi që nuk janë të detyruar.
Si rrjedhojë, kërkesa e Kilajt e mbështetur nga ajo e Thaçit dhe Kuçit u refuzua. Kështu, u është bërë thirrje mbrojtjeve që të dorëzojnë dosjet e tyre deri më 20 tetor 2025.
Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.
Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DHSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. /BetimipërDrejtësi