Prokuroria Speciale mirëpret sanksionimin e “Rrjetit Krasniqi”: Po trajtohet me prioritet
Foto: Laura Hasani

Prokuroria Speciale mirëpret sanksionimin e “Rrjetit Krasniqi”: Po trajtohet me prioritet

Aktuale October 22, 2025 - 19:16

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se mirëpret vendimin e autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar për të vendosur sanksione ndaj disa grupeve kriminale të përfshira në kontrabandën e migracionit në Ballkanin Perëndimor, përfshirë rrjetin e falsifikimit të dokumenteve me bazë në Kosovë, të njohur si “Rrjeti Krasniqi”.

Prokuroria Speciale thekson se rasti është duke u trajtuar me prioritet dhe se do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar dhe të gjitha vendet partnere.

“Rasti është duke u trajtuar me prioritet nga Prokuroria Speciale. Prokuroria Speciale do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar dhe me të gjitha vendet partnere, duke mbetur një aktore konstruktive dhe e besueshëme në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, si dhe në promovimin e sigurisë dhe drejtësisë në rajon dhe më gjerë”, thuhet nga Prokuroria.

Rrjeti “Krasniqi” dyshohet për prodhimin e pasaportave, kartave të identitetit dhe patentë-shoferëve të falsifikuara për më shumë se 50 shtete, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.

Autoritetet britanike kanë vlerësuar se grupi ka ndihmuar bandat ballkanike të lehtësojnë kalimin e paligjshëm të migrantëve drejt Evropës Perëndimore.

Në listën e sanksioneve janë përfshirë disa anëtarë të rrjetit, mes tyre Burim Krasniqi (i identifikuar si udhëheqës), Arif dhe Valon Krasniqi, Sami Duriqi, Granit Avdyli, Nexhmije Selmani, Endrit dhe Shkëmbim Ermellahu. Ata janë përfshirë në prodhimin, shpërndarjen dhe sigurimin e pajisjeve për falsifikim të dokumenteve.