Basha: Hungaria e ka dëshmuar se është shtet mik i vërtetë i Kosovës

Basha: Hungaria e ka dëshmuar se është shtet mik i vërtetë i Kosovës

Aktuale October 23, 2025 - 15:37

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në ceremoninë e mbrëmshme të organizuar nga Ambasada Hungareze në Prishtinë, për shënimin e Ditës Kombëtare të Hungarisë.

Në adresimin e tij para të pranishmëve, kryetari Basha në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj shprehu mirënjohjen për miqësinë dhe mbështetjen e palëkundur që Hungaria i ka dhënë Kosovës ndër vite.

“Nga njohja e Pavarësisë sonë, te mbështetja në arenën ndërkombëtare e deri te programi Stipendium Hungaricum, përmes të cilit mbi 100 studentë tanë janë ndihmuar drejtpërdrejt të hapin horizontet e botës akademike në tërë botën, Hungaria e ka dëshmuar se është shtet mik i vërtetë dhe partner i qëndrueshëm i vendit tonë", tha kryetari Dimal Basha.

Në fjalën e tij, kryetari Basha vlerësoi gjithashtu guximin dhe qëndresën e popullit hungarez për liri, që, ashtu si e kaluara e popullit tonë, mbetet frymëzim për brezat e ardhshëm.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona”, theksoi kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.