
Rasti i ish-krerëve të UÇK-së, bëhet konstatim gjyqësor për 66 fakte të gjykuara në rastin ndaj Pjetër Shalës
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, trupi gjykues ka bërë konstatim të 66 fakteve të gjykuara në rastin ndaj Pjetër Shalës i cili në shkallë të parë u dënua me 18 vjet burgim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, e të cilin dënim shkalla e dytë e uli në 13 vjet burgim.
Sipas vendimit të 16 tetorit 2025, Prokuroria kishte bërë kërkesë për konstatim gjyqësor të 68 fakteve. Kërkesa ishte bërë pas vendimit të Apelit në rastin ndaj Pjetër Shalës.
Prokuroria kishte parashtruar në kërkesën e saj se faktet e propozuara për konstatim gjyqësor janë të rëndësishme pasi që lidhen me çështje që janë objekt i procedurave në rastin aktual të të akuzuarve, nuk lidhen me veprimet ose sjelljen e të akuzuarve, nuk janë të paqarta në kontekstin në të cilin janë vendosur, nuk përmbajnë konstatime juridike, nuk bazohen në një marrëveshje ndërmjet palëve në rastin e Shalës dhe nuk janë subjekt i ndonjë ankese apo rishikimi në pritje.
Po ashtu, Prokuroria ka thënë se këto fakte janë në interes të drejtësisë, mund të mundësojnë një aktgjykim të plotë dhe të informuar në këtë rast dhe respekton të drejtat e të akuzuarve për një gjykim të drejtë dhe të shpejtë.
Kërkesa e Prokurorisë ishte kundërshtuar nga mbrojtja, me arsyetimin se shkel të drejtat e të akuzuarve pasi që në këtë fazë të procedurës, mbrojtja është ndjeshëm e kufizuar për të sfiduar saktësinë e atyre konstatimeve gjyqësore.
Sipas mbrojtjes, këto fakte lidhen me përgjegjësinë, autoritetin ose pushtetin e individëve që pretendohet se kanë qenë vartës të të akuzuarve ose anëtarë të asaj siç pretendon Prokuroria- Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale.
Faktet në fjalë, sipas mbrojtjes nuk citojnë burime të qarta provash të identifikuara dhe bazohen në prova që janë anonime ose që nuk janë zbuluar në të rast gjyqësor.
Përveç kësaj, mbrojtja thotë se këto fakte përmbajnë gjuhë të paqartë, tendencioze si dhe përbëjnë përshkrime provash dhe jo konstatime faktike. Veç kësaj, thuhet se këto prova nuk janë kontestuar në rastin Shala.
Ndonëse kundërshtimet me të mëdha në mes Prokurorisë dhe mbrojtjes ishin nëse kërkesa ishte paraqitur me kohë, trupi gjykues i dha të drejtë Prokurorisë.
Sipas trupit gjykues, kërkesa është paraqitur katër muaj pas përfundimit të çështjes së Prokurorisë dhe brenda një muaji nga shpallja e aktgjykimit të Apelit në rastin e Pjetër Shalës.
Trupi gjykues thotë se aktgjykimi i Apelit i bëri përfundimtare konstatimet gjyqësore pasi nuk i rrëzoi ato. Andaj, thuhet se Prokuroria nuk mund ta kishte paraqitur kërkesën e saj përpara se të shpallej aktgjykimi i Apelit dhe periudha brenda një muaji pas aktgjykimit për paraqitjen e kërkesës është e arsyeshme.
Në konstatimet e trupit gjykues thuhet se rregullat nuk përcaktojnë një afat për paraqitjen e kërkesave për konstatim të fakteve të gjykuara, pasi kjo varet nga momenti kur faktet bëhen të gatshme për t’u shqyrtuar.
Megjithatë, në ushtrimin e diskrecionit të tij, ata thonë se trupi gjykues duhet të sigurojë që të respektohet e drejta e të akuzuarit për një gjykim të drejtë dhe të shpejtë, sidomos e drejta për t’u përballur me provat kundër tij.
Paneli thekson se, edhe pse disa ekipe të mbrojtjes tashmë kanë dorëzuar listat e tyre të dëshmitarëve dhe provave, kjo nuk i pengon ato të kundërshtojnë faktet e marra në dijeni gjyqësore, pasi prezumimi që u bashkëngjitet këtyre fakteve mund të rrëzohet me prova të reja.
Duke u bazuar në rregullore, trupi gjykues thotë se mund të lejojë ndryshimin e listave të provave dhe dëshmitarëve me njoftim të duhur dhe arsye të vlefshme- diçka që tashmë është bërë dy herë për mbrojtjen e Thaçit.
Kështu, ekipet e mbrojtjes që duan të paraqesin çështjen e tyre, sipas trupit gjykues, mund të kërkojnë ndryshime për të paraqitur prova kundërshtuese.
Trupi gjykues thotë se deri tani, asnjë nga ekipet e mbrojtjes nuk ka njoftuar për ndonjë provë të tillë, por nëse kjo ndodh, ata do ta shqyrtojë kërkesën.
Ndërsa, për materialet që janë paraqitur nga Prokuroria, trupi gjykues thotë se janë të natyrës mbështetëse dhe lidhen me krimet e kryera në Fabrikën e Metalit në Kukës dhe për kët të gjitha, ekipet e mbrojtjes kanë pasur mundësinë, dhe ende e kanë, për të sfiduar saktësinë e fakteve të gjykuara që kanë të bëjnë me atë Fabrikë.
Si rrjedhojë, trupi gjykues thotë se mbrojtja e ka pasur dhe e ka mundësinë që të kundërshtojë këto fakte.
“Për këto arsye, Trupi Gjykues gjithashtu e hedh poshtë argumentin se dy ekipet e Mbrojtjes që kanë zgjedhur të mos paraqesin një çështje janë “lënë praktikisht pa asnjë mundësi për të paraqitur prova që kundërshtojnë saktësinë e Fakteve të Propozuara”, thuhet në vendim.
Si rrjedhojë, trupi gjykues bëri konstatime gjyqësore për 66 nga 68 faktet e gjykuara në rastin ndaj Pjetër Shalës.
Ndyrshe, mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.
Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Ëilliams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Ëesley Clark, John Steëart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.
Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.
Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë.
DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.
Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi