
Detaje se si ndodhi rasti tragjik në Bresje të Fushë-Kosovës, që humbi jetën një 77-vjeçar
Mesditën e së mërkurës hyri në këtë objekt në ndërtim e sipër në Bresje të Fushë Kosovës.
Por, vizita këtu doli të jetë tragjike për të moshuarin S.TH.
Kjo meqë, ai dyshohet të ketë rënë nga një lartësi 3 metërshe.
77 vjeçari, pretendohet se nuk ishte punëtorë i punishtes, por kishte shkuar aty se bashku me një familjar, i cili dyshohet se ishte nën-kontraktorë në atë vend ndërtimi.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë se rasti është iniciuar si “ Hetim mbi Vdekje”.
“Rasti ka ndodhur në rrugën Agron Rrahmani, ku ka humbur jetën viktima mashkull, 77 vjeç. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente në koordinim me prokurorinë”, kanë njoftuar nga policia e Kosovës.
E përveç policisë në këtë ngjarje kishte intervenuar edhe ekipi i zjarrfikësve të Prishtinës.
“Ne Ora 13:47 e kemi pranuar informatë. Për një person qe ka renë ne një puset ne objekt ne ndërtim e sipër. Ne aty i kemi gjetur njësitin e policisë patrullën dhe hetuesit si dhe ndihmën e pare. Ekipet tona kanë nxjerre nga puseta dhe e kanë dorëzuar te IML ( mjekësia ligjore )”, ka thënë Gashi.
Ekipi i Tëvë1 gjatë vëzhgimit të situatës ka vërejtur që rreth kësaj punishteje janë të vendosura masat mbrojtëse.
Pikërisht këto masa vlerësohet që janë esenciale për mbrojtjen e individëve në momentin që kryhen ndërtime të objekteve.
“Nëse një punishte nuk është e rrethuar mundet të hyjë dikush i paautorizuar dhe që nuk e njeh terrenin. Gjithashtu edhe brenda punishtes duhet të me pas masa mbrojtëse, për shembull është obligative përdorimi i skeleve të jashtme, gjithashtu edhe te gropat e lifteve duhet me pas mbyllje siguri sepse pavarësisht se edhe nëse je duke punuar dhe e njeh terrenin mund të ketë pasoja fatale”, është shprehur inxhinieri, Arsim Rapuca.
Televizioni ka tentuar të kontaktojë edhe me kompaninë në fjalë që merret me ndërtimin e këtij objekti në lidhje me këtë rast por deri në publikimin e kronikës nuk ka marrë përgjigje.
Po ashtu televizioni ka tentuar të marrë një qëndrim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, por as kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje.