Kosova shtyn zbatimin e rreptë të Ligjit për të huajt dhe për Automjete
Foto: Laura Hasani

Kosova shtyn zbatimin e rreptë të Ligjit për të huajt dhe për Automjete

Aktuale October 24, 2025 - 18:03

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka shtyrë deri më 15 janar të vitit 2026 zbatimin e Ligjit për automjete dhe Ligjit për të Huajt. Në bazë të Ligjit për automjete, makinat me targa të huaja nuk mund të qëndrojnë në Kosovë për më shumë se tre muaj apo në bazë të një autorizimi.

Autoritetet në Kosovë më herët kishin njoftuar se zbatimi i rreptë i ligjeve do të niste më 1 nëntor, njoftim që u kritikua nga komuniteti serb, shoqëria civile dhe përfaqësuesit politikë.

MPB tha të premten se nga 1 nëntori deri më 15 janar do të zhvillojë një fushatë informuese për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të huajt që kanë qëndrim të përkohshëm dhe të përhershëm në Kosovë.

“Fokusi i veçantë i kësaj fushate do të jetë informimi i qytetarëve për kushtet e pjesëmarrjes në trafik në territorin e Kosovës, veçanërisht për automjetet e regjistruara në vendin e huaj dhe çështjet që ndërlidhen me zbatimin e dispozitave ligjore për automjetet. Fushata, gjithashtu do të ofrojë udhëzime praktike për hyrjen, lëvizjen, qëndrimin dhe punësimin e shtetasve të huaj në Kosovë”, u tha në njoftim.

Masa e re për trafik prekë pjesëtarët e komunitetit serb që kanë vendbanim në Kosovë sipas sistemit serb, por që ngasin makina me targa të qyteteve të Serbisë, duke përdorur autorizim.

Në këtë autorizim gjenden të dhënat e kartës së identitetit të shoferit, të cilën e lëshojnë organet e Serbisë për qytetet në Kosovë, por që Prishtina zyrtare nuk i njeh.

Raste të tilla ka nëpër mjediset me shumicë serbe si në veri, ashtu edhe në jug të lumit Ibër.

Përveç masave që lidhen me qarkullimin e automjeteve me targa të huaja, Policia e Kosovës njoftoi në shtator edhe për zbatimin e Ligjit për të huajt sa i përket dokumenteve personale, që do të thotë se të gjithë ata që nuk kanë leje qëndrimi në Kosovë do të duhet të aplikojnë për një të tillë.

Autoritetet në Kosovë kanë publikuar një udhëzues që shpjegon procedurën e marrjes së lejes për qëndrim të shkurtër, të përkohshëm ose të përhershëm dhe kushdo që nuk aplikon për një leje të tillë, dëbohet nga shteti.

Nuk ka të dhëna zyrtare të sakta se sa serbë jetojnë në Kosovë dhe posedojnë dokumente të Kosovës, pasi pjesëtarët e këtij komuniteti – kryesisht në katër komunat në veri – bojkotuan procesin e regjistrimit e popullsisë të zhvilluar më 2024.

Megjithatë, sipas vlerësimeve të shoqërisë civile serbe dhe autoriteteve lokale në komunat me shumicë serbe, rreth 100 mijë serbë jetojnë në Kosovë. Një raport i vitit 2024 nga organizata joqeveritare Aktiv, me titull “Analiza e trendëve: Qëndrimet e komunitetit serb”, tregoi se mbi 93 për qind e 503 të anketuarve posedonin dokumente të Kosovës.

Një grup OJQ-sh serbe kishte deklaruar më herët se ende ka mijëra serbë të Kosovës që nuk mund të pajisen me dokumente të Kosovës, sepse “regjistrimi civil i serbëve të Kosovës, ashtu si edhe i anëtarëve të tjerë të komuniteteve joshumicë, është penguar për shumë vite”.

Autoritetet e Kosovës, nga nëntori i vitit të kaluar deri në prill të këtij viti, u kanë mundësuar serbëve në Kosovë ta merrnin shtetësinë “me vonesë”, duke marrë parasysh se disa prej tyre nuk mund t’i nxirrnin dokumentet e Kosovës, sepse kishin vetëm certifikata të lindjes, të lëshuara nga institucionet serbe, të cilat autoritetet kosovare nuk i pranojnë. ./REL