MPB-ja: Nga 1 nëntori nis fushata për informim për veturat me targa të huaja
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se nga data 1 nëntor 2025 deri më 15 janar 2026, do të zhvillojë një fushatë të intensifikuar informuese për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të huajt me qëndrim të përkohshëm apo të përhershëm në Kosovë.
Sipas njoftimi të MPB-së, kjo fushatë do të realizohet përmes takimeve me qytetarë, tryezave të diskutimit me organizata të shoqërisë civile si dhe aktiviteteve informuese në terren, në media lokale dhe qendrore, dhe përmes kanaleve zyrtare të komunikimit, me qëllim të adresimit të pyetjeve dhe paqartësive që kanë të bëjnë me zbatimin e Ligjit për Automjete dhe Ligjit për të Huajt, njofton Dukagjini.
“Fokusi i veçantë i kësaj fushate do të jetë informimi i qytetarëve për kushtet e pjesëmarrjes në trafik në territorin e Republikës së Kosovës, veçanërisht për automjetet e regjistruara në vendin e huaj dhe çështjet që ndërlidhen me zbatimin e dispozitave ligjore për automjetet. Fushata, gjithashtu do të ofrojë udhëzime praktike për hyrjen, lëvizjen, qëndrimin dhe punësimin e shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.