Kurti: FLOSSK e ka vendosur Kosovën në hartën botërore të burimit të hapur

Kurti: FLOSSK e ka vendosur Kosovën në hartën botërore të burimit të hapur

Aktuale October 25, 2025 - 12:38

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë e veprimit, bashkëpunimit dhe inovacionit qytetar gjatë hapjes së konferencës “Software Freedom Kosova 2025”, ngjarjes më të madhe vjetore për softuerin dhe harduerin me burim të hapur në Evropën Juglindore, raporton Ekonomia Online.

Konferenca, e cila këtë vit shënon edicionin e 17-të dhe jubileun e 10-të, mbledh zhvillues, studentë, studiues dhe inovatorë nga Kosova dhe komunitete ndërkombëtare për të ndarë përvoja dhe për të promovuar teknologjinë e hapur.

Kurti tha se Kosova ka dëshmuar se bashkëpunimi dhe angazhimi qytetar sjellin përparim të qëndrueshëm, ndërsa theksoi rolin e FLOSSK në promovimin e vendit në arenën ndërkombëtare të teknologjisë.

“Kosova ka dëshmuar se veprimi, bashkëpunimi dhe angazhimi qytetar mund të sjellin përparim të vërtetë dhe të qëndrueshëm. Përmes punës suaj, Kosova ka organizuar konferenca të mëdha ndërkombëtare, si DEP, CONF dhe FOS4G, duke dëshmuar se vendi ynë mund të organizojë dhe të kontribuojë në mënyrë domethënëse në lëvizjen globale të burimit të hapur. FLOSSK ka luajtur gjithashtu një rol kyç në përmirësimin e mbulimit të Kosovës në OpenStreetMap, duke ndihmuar në krijimin e të dhënave gjeografike të lira që mbështesin navigimin dhe planifikimin më të mirë. Me një fjalë, FLOSSK e ka vendosur Kosovën në hartën botërore të burimit të hapur,” tha Kurti.

Ai shtoi se konferenca vazhdon të promovojë ndarjen e njohurive dhe bashkëpunimin.

“Software Freedom Kosovo 2025 e vazhdon këtë mision. Ajo bashkon zhvillues, studiues, studentë, inovatorë dhe mendimtarë që besojnë se njohuria duhet të ndahet dhe teknologjia duhet t’u shërbejë njerëzve. Kjo konferencë sjell ligjërues vendorë dhe ndërkombëtarë, kontribues nga komunitete si Wikimedia, Arduino dhe të tjerë, si dhe pjesëmarrës nga vetë Kosova që po ndërtojnë projekte me burim të hapur të përdorura nga mijëra njerëz anembanë botës,” tha ai.

Kurti nënvizoi gjithashtu rëndësinë e harduerit të hapur.

“Teknologjia e hapur nuk ka të bëjë vetëm me softuerin. Hardueri i hapur është po aq i rëndësishëm. Ai u mundëson njerëzve të kuptojnë, modifikojnë dhe ndërtojnë pajisjet që i përdorin çdo ditë. Ai fuqizon studentët, inxhinierët dhe krijuesit të mësojnë nga njëri-tjetri, të inovojnë në nivel lokal dhe të krijojnë teknologji që me të vërtetë u shërbejnë komuniteteve të tyre. Hardueri i hapur, ashtu si softueri i hapur, na jep pavarësi, transparencë dhe aftësinë për t’i zgjidhur problemet së bashku,” theksoi Kurti.

Ndërsa dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Isak Shabani, tha se Universiteti i Prishtinës është një nga institucionet më të mëdha publike në vend dhe pjesë e rëndësishme e kësaj ngjarjeje.

“Universiteti i Prishtinës është një nga institucionet më të mëdha dhe më të rëndësishme publike në Kosovë, me 40 njësi akademike dhe më shumë se 30 mijë studentë. Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike është pjesë integrale e Universitetit të Prishtinës. Aktualisht, fakulteti ka rreth 2.000 studentë në të gjitha drejtimet,” tha Shabani.

Ai shtoi se vizioni i fakultetit është të krijojë modele bashkëkohore dhe inovative.

“Vizioni i fakultetit tonë është të bëhet një model kombëtar dhe ndërkombëtar i fakulteteve bashkëkohore dhe inovative me mësim integrues, ku bashkëpunimi, plotësimi mes teorisë, praktikës profesionale dhe shkencës zhvillohen për t’iu përgjigjur nevojave të kohës,” shtoi ai.

Për Shabanin, konferenca është një mundësi e rëndësishme për studentët dhe universitetin.

“Fakulteti ynë është përfshirë në organizimin e kësaj konference dhe është i kënaqur që ka mundësinë të përgatisë studentët – si studentët tanë, ashtu edhe organizatorët e kësaj ngjarjeje të rëndësishme – e cila përfaqëson një moment të rëndësishëm për Universitetin e Prishtinës. Kjo konferencë është e rëndësishme. Shteti ynë është një vend me prestigj, i cili zhvillon talentet, aftësitë dhe ekspertizën e tij në fushat e TIK-ut, duke krijuar mundësi për bashkëpunim dhe zhvillim përmes përfaqësuesve dhe iniciativave të ndryshme,” theksoi Shabani.

Ndërkaq, drejtori i FLOSSK-ut, Besfort Guri, para të pranishmëve bëri të ditur agjendën që do të karakterizojë këtë konferencë gjatë dy ditëve të saj.

Kjo konferencë, që zhvillohet për të shtatëmbëdhjetin vit me radhë, mbledh zhvillues, studentë, hulumtues, sipërmarrës dhe aktivistë për të ndarë përvoja dhe për të promovuar softuerin dhe harduerin e lirë. Përgjatë viteve, SFK ka pritur emra të njohur ndërkombëtarë si Glynn Moody, Bruce Perens, Leon Shiman, Peter Salus, Rob Savoye dhe Mikel Maron.

Edicioni i sivjetëm shënon jubileun e dhjetë të konferencës dhe njëkohësisht 17 vjet ndikim të komunitetit të burimit të hapur në Kosovë dhe më gjerë. Gjatë dy ditëve të aktivitetit do të mbahen ligjërata, punëtori dhe sesione rrjetëzimi për profesionistë dhe entuziastë të teknologjisë, me qëllim ndarjen e njohurive dhe nxitjen e bashkëpunimit në fushën e inovacionit të hapur.