Murati: Modeli që kemi ofruar ne është refuzuar
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, njëherësh ministër në detyrë i Financave, i ka akuzuar deputetët e partive tjera se e kanë vendosur përpara inatin dhe kanë vendosur të barrikadohen sesa të shohin interesin shtetëror.
Ai ka thënë se partia të cilës i takon nuk është vonuar asnjë ditë dhe që prej certifikimit të rezultateve i ka kryer të gjitha detyrat brenda afateve kushtetuese.
“Të gjitha zvarritjet, të gjitha vonesat, siç është parë edhe sot kanë qenë në mënyrë që të bllokohet qoftë formimi i Kuvendit, qoftë formimi i Qeverisë nga fituesi i zgjedhjeve dhe të krijohet një ambient kur të gjitha partitë opozitare barrikadohen dhe ankohen pse nuk ka marrëveshje politike, por kur atyre u ofrohet e njëjta, ato refuzojnë”.
I pyetur pse është propozuar emri i Dimal Bashës për ministër, kur ai veçse është kryetar Kuvendi, Murati ka thënë se emri i tij për pozitën e ministrit të Infrastrukturës ka qenë i vendosur qysh më herët.
“Por, neve na është imponuar, siç e dini edhe unë kam qenë i propozuar për postin e kryetarit të Kuvendit, kanë qenë edhe Nagavci e Gërvalla, kemi qenë të propozuar si alternativa në momentin kur opozita e bllokonte konstituimin e Kuvendit, duke refuzuar votën për kandidaten për një pozitë që me Kushtetutë na takonte neve”.