Piloti kroat i dyshuar për spiunazh lirohet nga paraburgimi, serbja e Kosovës ende nën arrest
J.I., pilot i Forcave Ajrore kroate, është liruar nga paraburgimi, derisa e dashura e tij Ana Murganiq, e cila është nga Kosova, ndodhet ende nën arrest.
Kështu raporton gazeta kroate 24 sata, duke iu referuar burimeve nga Gjykata e Qarkut në Split.
“J.I. i është hequr masa e paraburgimit dhe i janë caktuar masa kujdesi, ndërsa nesër do të vendoset për vazhdimin e paraburgimit për të akuzuarën A.M.”, u konfirmua nga kjo gjykatë.
Ndaj pilotit janë marrë masa shtesë, duke përfshirë ndalimin e kontaktit me njërin nga dëshmitarët që ende nuk është marrë në pyetje.
J.I. me të dashurën e tij ishin arrestuar si të dyshuar për spiunazh në favor të Serbisë. Pas këtij zhvillimi, ai u përjashtua nga ushtria, kjo u konfirmua atëherë edhe nga Ministria e Mbrojtjes, transmeton Klankosova.tv.
Hetuesit zbuluan komunikimet e tyre me politikanë serbë duke u dhënë edhe informacione konfidenciale.
Dyshohet se këto informacione piloti nga Spliti i kishte mbledhur gjatë shërbimit të tij në Kosovë në kuadër kontigjentit kroat të KFOR-it (HRVCON).
Raportohet se e dyshuara A.M. merrte nga partneri të dhëna për lëvizjet e forcave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat më pas i përcillte drejtuesve të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka lidhje të ngushta me Beogradin.
Në komunikimet përmes aplikacionit WhatsApp përmendet edhe një gazetar i një agjencie ndërkombëtare, i cili dyshohet se kishte marrë pjesë të këtyre informacioneve. Deri tani janë identifikuar të paktën katër raste të publikimit të sekreteve ushtarake, mes tyre rasti i veprimeve të KFOR-it në Zubin Potok dhe ai i arrestimit të ish-policit kosovar Dejan Pantiq në dhjetor 2022.
Hetimi ka zbuluar gjithashtu se A.M. ka punuar më parë në misionet e EULEX-it dhe UNMIK-ut, ku ka pasur kontakte me gjyqtarë e prokurorë, disa prej të cilëve dyshohet se ka tentuar t’i shantazhojë, transmeton Klankosova.
Ajo rezulton të ketë qenë e afërt edhe me përfaqësues të komunitetit serb dhe persona të përfshirë në iniciativat për themelimin e Asociacionit të komunave serbe.
Sipas burimeve hetimore, shërbimet serbe të inteligjencës po përdorin pozitat e punës së serbëve në institucione ndërkombëtare në Kosovë për mbledhje informacioni dhe ndikim në proceset gjyqësore.