Spiropali takon Kallas: Integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, investim strategjik për të ardhmen
Ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, është takuar me Zëvendës Presidenten e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas.
Spiropali ka bërë të ditur se me Kallas ka folur për angazhimin e mëtejshëm të Shqipërisë si faktor i sigurisë rajonale, dhe partner i besueshëm e proaktiv i BE-së.
Ndër tjerash, Spiropali bëri të ditur se ka theksuar bindjen e plotë se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, përfshirë Kosovën, është një investim strategjik për të ardhmen e përbashkët nën qiellin evropian.
“Me shumë kënaqësi u takova sot me Zëvendës Presidenten e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas, për angazhimin e mëtejshëm të Shqipërisë si faktor i sigurisë rajonale, partner i besueshëm e proaktiv i BE-së, tërësisht i linjëzuar me politikat e Unionit, përfshirë në mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakushtëzuar për Ukrainën. E falenderova Kryediplomaten Europiane për mbështetjen financiare që Unioni vijon t’i japë Shqipërisë, përfshirë edhe sigurinë e mbrojtjen”, shkroi ajo ndër tjerash.