Kushtetuesja i vendos masë të përkohshme vendimit të Qeverisë për shpalljen në interes publik të disa pronave në Graçanicë
Foto: Laura Hasani

Kushtetuesja i vendos masë të përkohshme vendimit të Qeverisë për shpalljen në interes publik të disa pronave në Graçanicë

Aktuale October 30, 2025 - 11:25

Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se më 21 tetor 2025 ka vendosur të vazhdojë masën e përkohshme në rastin KO84/25, të miratuar më 31 korrik 2025, në kohëzgjatje deri më 31 tetor 2025.

Kërkesa është parashtruar në Gjykatën Kushtetuese nga Komuna e Graçanicës, duke u bazuar në autorizimet e përcaktuara nëpërmjet paragrafit 4 të Nenit 113 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përmes së cilës është kontestuar Vendimi [nr. 05/218] i Qeverisë së Republikës së Kosovës i 28 gushtit 2024, për “shpalljen në interes publik ndërtimin e qendrës rezidenciale për autizëm, sindromë down dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë”.

Gjykata thotë se e vlerësoi si të arsyeshëm dhe proporcional vazhdimin e masës së përkohshme deri më 30 janar 2026, ndaj Vendimit të kontestuar për arsye se i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”.

Gjykata, përmes Vendimit të saj për vazhdimin e masës së përkohshme theksoi se ky vendim vlen për të gjitha palët dhe nuk paragjykon në asnjë mënyrë meritat e kërkesës.

“Gjykata, më 21 tetor 2025, vendosi njëzëri:

I. TA VAZHDOJË kërkesën për masë të përkohshme të miratuar më 31 korrik 2025, përkatësisht të vazhdojë pezullimin e zbatimit të Vendimit [Nr. 05/218] të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës më datë 28 gusht 2024;

II. Vazhdimi i masës së përkohshme do të zgjasë deri më 30 janar 2026;

III. T’UA KUMTOJË këtë Vendim palëve;

IV. TA PUBLIKOJË këtë Vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;

V. Ky Vendim hyn në fuqi ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses. /Zëri