Imami Maliqi thotë se vendimi i Supremes për shaminë krijon diskriminim e përjashtim të vajzave me mbulesë
Imami Labinot Maliqi ka reaguar për vendimin e Gjykatës Supreme për bartjen e shamisë në shkolla.
Ai u shpreh se me vendimin e Supremes konfirmohet kompetenca e MASHTI-t për rregullat mbi uniformën shkollore, por që sipas tij ky institucion nuk ka autoritet për të rregulluar bindjet fetare të nxënësve, sepse mbulesa e kokës nuk bën pjesë në uniformën zyrtare të shkollave, shkruan Zeri.info.
Maliqi thotë se shamia me fytyrë të dukshme nuk bie ndesh me uniformën shkollore.
“Asnjëherë nuk është dokumentuar ndonjë rast ku nxënëset me mbulesë të kenë refuzuar uniformën ose disiplinën shkollore. Për këtë arsye, ndalimi i mbulesës nuk lidhet me uniformën, por është shndërruar në mjet përjashtimi dhe diskriminimi ndaj nxënëseve besimtare, gjë që bie ndesh me frymën e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”, thuhet në reagimin e tij.
Imami Maliqi thotë se udhëzimi administrativ për këtë çështje ka bërë të ketë diskriminim, stigmatizim dhe përjashtim të vajzave me mbulesë.
“Një ndalesë e tillë nuk mbron rendin publik ose sigurinë. Përkundrazi, i kontribuon diskriminimit, stigmatizimit dhe prapambeturisë së femrës, duke e penguar zhvillimin e saj arsimor dhe profesional.
Ajo krijon një pengesë të panevojshme për emancipimin e gruas dhe përfaqëson një formë të përjashtimit gjinor, e cila bie ndesh me parimet themelore të barazisë dhe drejtësisë sociale”, shkroi ndër të tjera ai. /Zëri