Çitaku: E vetmja seancë e re që mund të thirret është ajo për të votuar ose jo qeverinë
Foto: Laura Hasani

Çitaku: E vetmja seancë e re që mund të thirret është ajo për të votuar ose jo qeverinë

Aktuale October 30, 2025 - 15:25

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka deklaruar se e vetmja thirrje për seancë të re mund të jetë ajo për të votuar ose jo qeverinë e re.

“Në emër të PDK-së qartësova që pika e vetëm e rendit të ditës që mund të trajtojmë është thirrja e seancës së re plenare për të votuar ose mos votuar qeverinë e re, çdo gjë tjetër është shkelje e ligjit, shkelje e Kushtetutës. Liderët politike aty do të konfirmoj se a kanë shumicë parlamentare”, tha ajo.

Çitaku edhe një herë ka konfirmuar se "kryetari Krasniqi do të marrë pjesë, Kosova nuk ka kohë për të humbur. Është e qartë se nuk ka shumicë të re parlamentare. Duhet të shkojmë në zgjedhje”.

Ajo e ka kritikuar Vetëvendosjen që po tenton t’i bëjë të shkelin Kushtetutën.

“Nuk mund të miratojë komisione, po na detyrojnë që të stimulojmë demokracinë duke shkelur Kushtetutën. Nuk do të lejomë që me vetëdije të shkelet Kushtetuta”, tha ajo.

Më tej ka shtuar se “është takim i vonuar, ky takim do të duhej te ndodhte ditën e diel”, tha Çitaku. /EO