Aktivitetet e Speciales gjatë kësaj jave

Aktivitetet e Speciales gjatë kësaj jave

Aktuale October 30, 2025 - 17:09

Angela Griep, zëdhënëse në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhKS) në Hagë ka treguar për punën e kësaj Gjykate gjatë kësaj jave.

Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Griep tregoi se më 23 tetor trupi gjykues urdhëroi shkurtimin e afatit për dorëzimin e kërkesave për pranimin si prova të të gjitha materialeve që nuk kanë të bëjnë me dëshmi të dëshmitarëve..

Griep tha se afati i mëparshëm ishte caktuar për një javë pas dhënies së dëshmisë nga dëshmitari i fundit në këtë çështje.

“Trupi gjykues ndryshoi afatin për dorëzimin e kërkesave për pranimin e provave që nuk kanë të bëjnë me dëshmi të dëshmitarëve, të njohura si “mocione për prova jogojore”, deri në jo më vonë se 3 nëntor. Ai urdhëroi më tej që përgjigjet ndaj këtyre mocioneve të dorëzohen më 10 nëntor”, tha Griep.

Gjithashtu, zëdhënësja tregoi se mbrojtja e Thaçit ishte udhëzuar që të shoh të gjitha mundësitë për të siguruar që dëshmitarët e propozuar të jenë të disponueshëm në ditët e seancave gjyqësore dhe të sjellë dëshmitarë të tjerë më herë në qoftë se është nevoja.

Në këtë rast, Griep tregoi se trupi gjykues miratoi një kërkesë të mbrojtjes së Thaçit për të shtuar disa dokumente që lidhen me deklaratat e dy dëshmitarëve në listën e vet të provave materiale. Kurse, tha së 23 tetor, trupi gjykues hodhi poshtë një kërkesë të mbrojtjes së Thaçit për ndryshim të protokollit që rregullon kontaktet me dëshmitarët.

Në anën tjetër, Griep tregoi se në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit kundër administrimit të drejtësisë, Apeli vendosi mbi apelimet e Thaçit kundër vendimeve të gjykatëses së procedurës paraprake mbi mocionet paraprake të mbrojtjes së Thaçit për juridiksionin, shtyrjen dhe veçimin e procesit.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë. /BetimipërDrejtësi