Ambasadori britanik mirëpret njohjen nga Siria: Forcon paqen edhe në Ballkan
Foto: Laura Hasani

Ambasadori britanik mirëpret njohjen nga Siria: Forcon paqen edhe në Ballkan

Aktuale October 30, 2025 - 17:22

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, e ka mirëpritur njohjen e Kosovës nga Siria si shtet sovran dhe i pavarur.

Ai ka deklaruar se kjo njohje përbën një hap të rëndësishëm përpara për pozicionin ndërkombëtar të Kosovës dhe për rrugëtimin e saj euroatlantik.

“Mbretëria e Bashkuar me krenari ka qëndruar pranë Kosovës që nga dita e parë, dhe ne vazhdojmë t’i inkurajojmë të gjitha kombet që t’i bashkohen konsensusit në rritje në mbështetje të pavarësisë, demokracisë dhe të ardhmes shumëetnike të Kosovës”, ka thënë Hargreaves.

“Njohja ka rëndësi: ajo forcon paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar ai.

Të mërkurën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e mirëpriti përzemërsisht njohjen e Kosovës nga Siria.

Në njoftimin zyrtar të Presidencës, Osmani i shprehu falënderimet e saj presidentit sirian Ahmed al-Sharaa për lidershipin dhe mbështetjen ndaj popullit të Kosovës.