Vuçiq: Njohja e Kosovës nga Siria ishte e pritshme
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se lajmi për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Siria ishte “i pritshëm”.
“Tani është e qartë se sa i rëndësishëm ishte qasja liberale e Bashar al-Assad ndërsa ishte në krye të Sirisë, dhe gjithashtu është e qartë kur vjen dikush që është nën ndikim të madh të njërit prej vendeve kryesore në rajon, siç është Turqia”, tha Vuçiq gjatë një konference për media në Uzbekistan më 30 tetor.
Vuçiq shtoi se në Siri “marrin urdhër dhe veprojnë sipas urdhrit” dhe tha se Serbia do të ketë diçka “me të cilën t’i gëzojë”, por nuk sqaroi se çfarë është fjala.
Siria njohu pavarësinë e Kosovës më 29 tetor, njoftuan zyrtarët e të dy vendeve.
Gjatë qëndrimit në Riad presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se marrëveshja për njohjen e Kosovës nga Siria u arrit me mbështetjen e princit të kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud.
Siria – shtet në Lindjen e Mesme – ka përmirësuar marrëdhëniet me vendet perëndimore pas rrëzimit nga pushteti të presidentit Bashar al-Assad në dhjetor 2024, gjatë një ofensive të udhëhequr nga grupi islamist Hayat Tahrir al-Sham (HTS).
Që nga janari i këtij viti, në krye të vendit është Ahmed al-Sharaa, i cili udhëhoqi luftëtarët e opozitës në rrëzimin e Assadit, duke i dhënë fund sundimit pesëdekadësh të familjes së tij.
Vuçiq më 30 tetor tha po ashtu se në njohjen e Kosovës nga Siria sheh “të njëjtin stil si vitin e kaluar nga Antalia”.
Sudani, shtet në verilindje të Afrikës, njohu pavarësinë e Kosovës në prill të vitit 2025.
Në një video së bashku me ministrin sudanez të Punëve të Jashtme, Ali Yousuf al-Sharif, në Forumin Diplomatik në Antali të Turqi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ai e kishte informuar për vendimin e Sudanit për të njohur Kosovën dhe për të vendosur marrëdhënie ndërmjet dy vendeve.
Siria bëhet shteti i tretë që këtë vit njeh pavarësinë e Kosovës, pas Sudanit dhe Kenias.
Serbia ka reaguar ashpër ndaj njohjeve të fundit të Kosovës, teksa Beogradi ende e konsideron Kosovën pjesë të tij, 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë.
Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova njihet nga 120 vende të botës. /REL