Shpërndahet Abetarja Mbarëkombëtare në Ulqin e Tivar

Shpërndahet Abetarja Mbarëkombëtare në Ulqin e Tivar

Aktuale October 30, 2025 - 18:04

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, së bashku me ambasadoren e Republikës së Shqipërisë, Zhaklina Peto, kanë bërë shpërndarjen e Abetareve Mbarëkombëtare në shkollat fillore të Komunës së Ulqinit dhe Tivarit, në të cilat procesi mësimor zhvillohet në gjuhën shqipe.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur kryetari i KKSHM-së, Faik Nika përmes një postimi në Facebook. Ai tha se ky projekt u realizua me mbështetjen e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, e cila siguroi kompletet e Abetares Mbarëkombëtare për të gjithë nxënësit shqiptarë të ciklit fillor në Mal të Zi.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit e Malit të Zi ka marrë vendim që Abetarja Mbarëkombëtare të përdoret si tekst mësimor në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe. Drejtorët dhe mësimdhënësit e shkollave shprehën falënderime për këtë aktivitet, duke e vlerësuar lart vizitën e Ambasadores Peto dhe interesimin e vazhdueshëm të KKSh-së për shkollat dhe arsimin në gjuhën amtare”, ka shkruar Nika.