S'ka rritje të pensioneve për veteranët, reagon OVL e UÇK-së: Na anashkaluan qëllimshëm
Foto: Laura Hasani

S'ka rritje të pensioneve për veteranët, reagon OVL e UÇK-së: Na anashkaluan qëllimshëm

Aktuale October 31, 2025 - 11:31

Organizata e Veteraneve të Luftës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti, pasi, siç thonë ata, u lanë jashtë rritjeve të pagës, të cilën Kurti e bëri të ditur në mbledhjen e sotme të Qeverisë, raporton Ekonomia Online.

Ata kanë kërkuar që çdo qeveri në ardhje t’i përfshijë edhe pensionet e veteranëve në rritjen e pagës minimale, duke theksuar që kjo e drejtë është mohuar nga qeveria “Kurti” me ndihmën e Listës Serbe.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës reagon ndaj deklarimeve të sotme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili në mbledhjen e Qeverisë ka folur për rritje të pensioneve dhe pagave, por edhe kësaj radhe nuk ka përmendur fare pensionet e veteranëve të luftës. Në një kohë kur vendi po shkon drejt zgjedhjeve, Qeveria në detyrë po mundohet të krijojë përshtypje mashtruese me premtime për rritje që nuk mund të realizohen pa buxhet të miratuar nga Kuvendi. Por edhe në këtë tentativë për mashtrim të qytetarëve, ku u përmendën të gjitha kategoritë shoqërore, veteranët e luftës së UÇK-së u anashkaluan sërish qëllimisht. Kjo është dëshmi e qartë se diskriminimi ndaj atyre që sakrifikuan më së shumti për lirinë e Kosovës po vazhdon. Në vend që të përmirësohet trajtimi i dinjitetshëm për veteranët, Qeveria në largim po tenton t’i harrojë ata plotësisht, madje edhe në momentet e fundit të mandatit. OVL UÇK-ja kërkon që çdo qeveri e ardhshme të kthejë atë që na takon me ligj, përfshirjen e pensioneve të veteranëve në rritjen e pagës minimale, të drejtë që u mohua padrejtësisht nga qeveria Kurti me ndihmën e Listës Serbe”, thuhet në reagim.