OJQ-të: Votimi i projektligjit për buxhet nga Qeveria në detyrë përbën shkelje kushtetuese
Foto: Laura Hasani

OJQ-të: Votimi i projektligjit për buxhet nga Qeveria në detyrë përbën shkelje kushtetuese

Aktuale October 31, 2025 - 13:21

Qeveria në detyrë në mbledhjen e sotme ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2026.

E pas kësaj ka reaguar Instituti GAP, sipas së cilit veprimi i sotëm i Qeverisë në detyrë, e cila procedoi dhe miratoi projektligjin për buxhetin, bie në kundërshtim me kërkesat ligjore të përcaktuara në Ligjin e Qeverisë dhe vetë Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Si vazhdimësi e letrës dërguar Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Osmani Sadriu, dhe marrë parasysh mbledhjen e sotme të qeverisë në detyrë, duam të sqarojmë se veprimi i sotëm i qeverisë në detyrë gjatë procedimit dhe miratimit të projektligjit të buxhetit bie në kundërshtim me kërkesat ligjore të përcaktuara në ligjin e qeverisë dhe vetë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo për faktin se sot votuan personat që janë të certifikuar si deputetë në Kuvendin e Kosovës. Projektligji për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 mund të propozohej nga qeveria në detyrë, në përputhje me ligjin për qeverinë. Megjithatë, siç kemi theksuar dhe në letrën e dërguar, ky proces do duhej të zhvillohet në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën, ligjin dhe aktgjykimin e Gjykatës Supreme. Të njëjtat përcaktojnë qartë se një person nuk mund të ushtrojë njëkohësisht dy funksione, si anëtar i qeverisë dhe si deputet”, thuhet në reagimin e GAP-it.

Reagimi i plotë:

Si vazhdimësi e letrës dërguar Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Osmani Sadriu dhe marrë parasysh mbledhjen e sotme të qeverisë në detyrë, duam të sqarojmë se veprimi i sotëm i qeverisë në detyrë gjatë procedimit dhe miratimit të projektligjit të buxhetit bie në kundërshtim me kërkesat ligjore të përcaktuara në ligjin e qeverisë dhe vetë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo për faktin se sot votuan personat që janë të certifikuar si deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Projektligji për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 mund të propozohej nga qeveria në detyrë, në përputhje me ligjin për qeverinë. Megjithatë, siç kemi theksuar dhe në letrën e dërguar, ky proces do duhej të zhvillohet në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën, ligjin dhe aktgjykimin e Gjykatës Supreme. Të njëjtat përcaktojnë qartë se një person nuk mund të ushtrojë njëkohësisht dy funksione, si anëtar i qeverisë dhe si deputet.

Prandaj, që ky proces të jetë i ligjshëm, ka qenë e domosdoshme që nënshkruesit e këtij projektligji të jenë në përputhje të plotë me legjislacionin e lartcekur, dhe propozuesit të jenë zv.kryeministri dhe ministra e zv.ministra përkatës që nuk kanë fituar njëkohësisht pozitën e deputetit në këtë legjislaturë. Çdo veprim që e anashkalon këtë parim cenon vlefshmërinë e vet ligjit për buxhetin, situatë që ndodhi sot.

Në këta fazë të ndjeshme politike, respektimi i rendit kushtetues dhe vendimeve gjyqësore është thelbësor për te ruajtur stabilitetin institucional dhe për të garantuar që procesi i miratimit të buxhetit mbetet i ligjshëm. Çdo tentativë si kjo e sotmja për të anashkaluar ligjin për qeverinë, aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dëmton jo vetëm procesin e miratimit të buxhetit, por edhe vetë parimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Për nga përmbajtja, projektligji dhe pakot e propozuara vërehet se janë përgatitur pa një qasje gjithëpërfshirëse institucionale, duke e thelluar edhe më tutje krizën politike në vend dhe përfundimisht mos miratimin e tij përmes konsensusit të përbashkët mes gjitha partive politike. Një qasje e tillë cenon rëndë parimet e demokracisë së këtij vendi sepse po bëhet në periudhën e zgjedhjeve komunale dhe paralajmërimit edhe të zgjedhjeve të përgjithshme.

Duam të ritheksojmë se miratimi i buxhetit është jetik për funksionimin normal të shtetit dhe pa një buxhet të miratuar, në rast të një ngërçi të përsëritur institucional, mund të hyjmë në një destabilitet të thellë financiar por edhe të funksionimit të përgjithshëm të shtetit. Qeveria në detyrë kishte një mundësi ligjore për t’a proceduar ligjërisht procesin e miratimit të këtij buxheti, por mënyra e cila u aplikua sot shkel në thelb Kushtetutën, legjislacionin dhe aktgjykimet e deritashme.

Sinqerisht,

Instituti GAP

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)

Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK)

Community Development Fund (CDF)

SHL-Kosova

YMCA Kosova

TOKA

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI)

Balkan Green Foundation (BGF)

Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ)

Community Building Mitrovica (CBM)

Advocacy Training and Resource Center (ATRC).