Haradinaj: Zgjedhjet të mbahen sa më shpejt, Presidentja vendos deri më 5 nëntor
Foto: Laura Hasani

Haradinaj: Zgjedhjet të mbahen sa më shpejt, Presidentja vendos deri më 5 nëntor

Aktuale October 31, 2025 - 14:14

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se vendi nuk ka kohë për të humbur dhe duhet që sa më shpejt të mbahen zgjedhjet e reja.

Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Haradinaj tha se ajo ka afat që deri më 5 nëntor të vendosë nëse do të mandatojë dikë tjetër për të formuar ekzekutivin e ri ose do të shpallë zgjedhjet e reja.

Haradinaj tha se Presidentja ka mundur që edhe sot të shpallë datën e zgjedhjeve të reja, por kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi disa ditë kohë për të tentuar që të bëjë sërish shumicën.

“Do të ishte në interes të Kosovës që data e zgjedhjeve të caktohet ma shpejt, brenda 30 ditësh”, tha ai, duke shtuar se data më e afërt është 7 dhjetori.

“Qëndrimi i AAK-së që ne nuk duam të humbin kohë, në afatin e parë kushtetues të veprohet dhe të mbahen zgjedhjet”, theksoi Haradinaj.

Ai tha se nëse zgjedhjet nuk mbahen më 7 dhjetor, atëherë data e dytë më e shpejt është 14 dhjetori, duke argumentuar se vendit i duhet një qeveri e re sa më shpejt, në mënyrë që të mund të miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm.